TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka nisur një takim me krerët e Drejtorive Arsimore të vendit duke shpalosur para mediat, drejtimin thuajse në një kah tjetër të të gjithë sistemit arsimor. Rama e vuri theksin jo aq në investimet në objekte sesa në rritjen e cilësisë së mësimdhënies, të vazhdimësisë së karrierës së çdo mësuesi, të bashkëpunimit me prindërit dhe mbi të gjitha, në kthimin e shkollave në qendra komunitare.
Ai tha: "Sfida jonë e madhe është shkolla si qendër komunitare. Dokumenti strategjik është miratuar. Rrjeti i koordinatorëve që do të mbulojë shkollat pilot është ngritur dhe vazhdon intensivisht puna nga ministria për të garantuar mbështetjen e donatorëve. Nga ana tjetër, ky dokument duhet të jetë jo vetëm në disponim të shkollave-pilot, por në të gjitha shkollat e tjera, sepse duam që ky proces të rritet vazhdimisht.
Nga ana tjetër është e rëndësishme të nënvizohet se një masë e konsiderueshme financimi i është akorduar Ministrisë së Arsimit, duke vlerësuar sistemin e inovacionit për gjithë sistemin arsimor parauniversitar. Pra, në vend të investohet në 5-6 shkolla me llaç e tulla, do të investohet për rrjetin dixhital që do të garantojë bashkimin në një platformë të të gjithë mesuesve dhe nxënësve, duke bërë që cilësia e marrjes së informacionit dhe procesit të mësimdhënies të jetë e lartë në gjithë territorin.
Ky është projekti- gur themeli për shkollën dhe projekti-gur themeli për të ndërtuar mbi një bazë të qëndrueshme shkollën si qendër komunitare. Në këtë fazë të parë të ristrukturimit dhe ripërtërtëritjes së sistemit arsimor parauniversitar, kemi dhe domosdoshmërinë që hap pas hapi të sigurohet vazhdimësia e karrierës së çdo mësuesi konform rezultateve dhe vlerësimit të bërë jo vetëm nga drejtoritë, por edhe nga komuniteti i prindërve.
Më tej Rama vlerësoi ecurinë normale të programit të maturës shtetërore, bashkëpunimin me shkollat e Kosovës duke ia lënë fjalën më pas, drejtuesve të Arsimit të paraqisnin problemet për çdo rreth dhe nevojat për mbështetje.