Qeveria i ka shtuar detyrimeve të shlyera ndaj biznesit edhe 500 milionë lekë të tjera.Projektligji, i cili parashikon faljen e 4069 gjobave të periudhës 1 mars 2013-31 gusht 2013 u miratua vetëm me votat e mazhorancës në Komisionin e Ekonomisë.
Zv/Ministri i Financave, Ervin Mete, theksoi se shifra e gjobave që falen është vënë në mënyrë abuzive gjatë periudhës zgjedhore të 2013.
"Logjika e ligjit na detyron të mos e bëjmë këtë ndarje, pasi nuk do të garantonte barazi për të gjithë. Në këtë mënyrë vendosëm që për atë periudhë të nxehtë të fushatës, kur kemi marrë ankesa pafund për instrumentalizim të organeve tatimore, të falim të gjitha gjobat. Së dyti, amnistia ka limitet e veta kohore. Ne kemi menduar të falim gjobat e kësaj periudhe, nisur edhe nga indiciet që kemi marrë, si dhe bazuar në faktin që risku i vendosjes së gjobave abuzive është më i lartë në periudhat zgjedhore," tha Mete.
Deputeti, Ridvan Bode, ish-Ministër i Financave për 8 vite më radhë, e përcaktoi këtë amnisti thjesht si një propagandë të radhës. Sipas Bodes nëse synohet të ndihmohet biznesi, falja duhet të jetë më e gjerë.
"Mendoj se nuk ka asnjë lloj justifikimi për të mbështetur këtë demagogji. Përkundrazi, biznesi zhytet thellë e më thellë, sepse nëse pranohet falja e gjobës, pranohet edhe detyrimi tatimor. Për të lehtësuar qytetarët dhe biznesin duhet zgjeruar fokusi i veprimit të projektligjit. Nëse doni të bëni një ligj për të çliruar ngërçin, zgjeroni fokusin, ndryshe mbetet demagogji," tha Bode.
Me kërkesë të opozitës në projektligj u futën edhe gjoba të bizneseve të vëna nga pushteti vendor, duke e rritur edhe më shumë numrin e subjekteve që pritet të përfitojnë.