A1 Report - 156 mije pasaporta femijesh me probleme, do kthehen ne 5-vjeçare

2015-08-22 0

TIRANE - Mbi 156 mijë pasaporta fëmijësh, pjesa më e madhe e të cilëve jetojnë jashtë shtetit, janë prodhuar në mënyrë të gabuar dhe me gabime nga shteti shqiptar gjatë periudhës prill 2009-korrik 2010, pasi afati i vlefshmërisë së tyre është shënuar për 10 vjet, ndryshe nga ç'parashikohet në ligj për 5 vjet. Ky fakt është bërë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve.

"Prill 2009 - korrik 2010 janë prodhuar 156 231 pasaporta, afati i vlefshmërisë të së cilave është shënuar në mënyrë të pasaktë. Deri në moshën 16 vjeç duhet të pajiseshin me pasaporta afati i të cilave duhet të ishte 5 vjeçar, në fakt ka ndodhur që janë pajisur gjatë gjithë kësaj periudhe me pasaporta 10 vjecare", -tha ministri.

Ai tha se ky problem është evidentuar që prej marrjes së detyrës, ndërsa i kërkoi Kuvendit që të shtyjë me një vit riaplikimin për pasaporta të reja të personave që kanë aplikuar gjatë kësaj periudhe, deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare.

"Deri në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare kërkojmë pranë kuvendit shtyrjen e afatit të këtyre pasaportave më një vit tjetër", - tha ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve.

Ministria e Brendshme i lë afat një vit që nga skadimi i 5-vjeçarit të pajisjes me dokumentin, këtyre shtetasve për marrë një pasaportë të re ashtu siç e parashikon ligji.

KOMISIONI I LIGJEVE DISKUTON PROJEKTLIGJIN PËR MJETET LUNDRUESE
Po ashtu Komisioni i Ligjeve ka diskutuar edhe projektligjin për "Regjistrimin, klasifikimin për mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese", ku parashikohet se të gjithë mjetet lundruese motorike të tonazhit të ulët, duhet të regjistrohen dhe të pajisen me GPS. Në projektligj parashikohen dhe gjoba për të gjithë ata që nuk i përgjigjen këtyre detyrimeve.

Ministri i Brendshëm gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve deklaroi se nuk do të ketë rikthim të moratoriumit antiskaf, i cili sipas tij ka dështuar gjatë gjithë viteve të zbatimit të tij.

Nga 10 mijë deri në 50 mijë lekë dhe sekuestrim mjeti, dënohen personat që nuk janë regjistruar mjetin e tyre motorik nën 20 tonësh ose nuk kanë GPS. Për shkeljen e rregullave të sigurisë për pushuesit në plazhet publike dhe jopublike, det apo liqene, kur mjeti motorik afrohet me tepër se 300 metra nga bregu, gjoba varijon nga 100 mijë deri në 150 mijë lekë, gjithashtu dhe sekuestrim të mjetit.