Tërheqja e investimeve dhe nxitja e tregtisë janë vënë në krye të axhendës së vizitës 2-ditore që kryeministri, Edi Rama, po zhvillon në Katar, me ftesë të homologut të tij Sheikut Abdullah Bin Nasser Al Thani. Turizmi, bujqësia dhe transporti ajror kanë qenë në fokus të takimit të kreut të qeverisë shqiptare me Emirin e këtij shteti, Al Thani. Gjatë bisedës mes tyre u diskutua mundësia e bashkëpunimit në fushën e transportit ajror, ku "Katar Airways" është një nga linjat kryesore në këtë sektor.
Emiri i Katarit u shpreh gjithashtu i gatshëm për të mirëpritur më shumë shqiptarë në Katar, të cilët mund të punësohen kryesisht në shërbimin shëndetësor, arsimor dhe ndërtim.
Gjithashtu, Rama është takuar edhe me kryeministrin e Katarit, Sheikun Abdullah Bin Nasser Al Thani, me të cilin bisedoi mbi nxitjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve. Pas këtij takimi, u nënshkrua marrëveshja mes dy qeverive, e cila synon punësimin e shtetasve shqiptarë në Katar, si dhe Memorandumi i Mirëkuptimit për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë. Gjatë vizitës dyditiore, Kryeministri Rama zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, si edhe me Ministrin e Shtetit dhe Autoritetit të Investimeve të Katarit.
Në këtë vizitë Kryeministri shoqërohet nga disa Ministra dhe kryetarët e Bashkive Durrës dhe Lezhë.