OSBE ODIHR thirrjet për bojkot shqetësuese

2015-08-22 1

Gjatë raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, liritë themelore janë respektuar dhe kandidatët kanë pasur mundësi për ushtrim të lirë të fushatës për zgjedhje, të ilat u administruan mirë dhe në mënyrë efikase. Në këtë përfundim doli sot Misioni i OSBE-ODHIR-it dhe Asambleja Parlamentare e KE-së, duke i tërhequr vërejtje medias, për mbulim të njëanshëm të fushatës së katër kandidatëve. Për sa i takon financimit, përparësia domethënëse e presidentit në detyrë ka rezultuar me mbizotërim në reklamat e paguara politike, ndërkohë që përkrahja e qartë qeveritare për Ivanovin, shkeli ndarjen e pushteteve mes shtetit dhe partisë.

"Fushata ka qenë aktive dhe kandidatët kanë pasur agjenda të ngjeshura tubimesh. Megjithatë, nuk ka pasur kushte të barabarta për garë zgjedhore. Në përgjithësi KSHZ-ja ka funksionuar në mënyrë efikase dhe shumica e seancave të saj kanë qenë të hapura për vëzhguesit dhe mediat, edhe pse tensionet ishin të dukshme kur disa anëtarë kanë bërë deklarata politike. Përveç kësaj, KSHZ-ja nuk ka arritur të komunikojë në mënyrë efektive me Komisionet Komunale Zgjedhore, duke shkaktuar konfuzion lidhur me procedurat", tha Geert Hinrich Ahrens, ambasador i OSBE-së në Maqedoni.

Ndërkohë Shefi i Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të KE-së Stefan Schennach tha se çështje shqetësuese është edhe fakti se fushata presidenciale u zhvillua në shoqëri të ndara etnike dhe thirrja e BDI-së për bojkot nuk e ndihmon demokracinë në vend.

"Zhvillimi i fushatës në shoqëri të ndarë në baza etnike, dhe thirrja nga njëra parti etnike shqiptare drejtuar anëtarëve të këtij komuniteti për të mos votuar, është një çështje shqetësuese. Ne gjithashtu kemi hasur raste të votimit të organizuar, si dhe disa parregullsi të vogla procedurale. Këto çështje hodhën një hije mbi atë që ishte një proces kryesisht mirë i realizuar në ditën e zgjedhjeve", tha Stefan Schennach,përfaqësues i asamblesë parlamentare të KE-së.

Sipas vëzhguesve të OSBE-ODHIR-it dhe Asamblesë Parlamentare të KE-së, gjuha që është përdorur nga kandidatët për president, ka qenë kryesisht e moderuar. Shqetësim tjetër sipas të huajve, është mungesa e besimit që kanë qytetarët tek Lista zgjedhore. Raporti më i detajuar dhe vlerësimi "bardhezi" sipas OSBE ODIHR-it do të publikohet pas zgjedhjeve të 27 prillit. Valmir Kuçi

Free Traffic Exchange