Gruevski dhe Ivanovi të inkurajuar nga rezultati i djeshëm gjatë raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, nuk hezituan të kërkonin sërish hapur për në 27 prill, në zgjedhjet parlamentare, 62 ulëse në Kuvendin Republikan. Sipas Gruevskit, qytetarët e Maqedonisë dje vlerësuan punën dhe përkushtimin që jep VMRO DPMNE-ja dhe partnerët e koalicionit për një Maqedoni më të mirë, në përmbushjen e premtimeve të dhëna.
"Ne falënderojmë qytetarët për këtë mbështetje, dhe kjo na jep një nxitje drejt qëllimit përfundimtar, më 27 prill, si për zgjedhjen e presidentit ashtu edhe për të fituar 62 ulëse në parlamentin e Maqedonisë për VMRO-DPMNE dhe koalicionit për një Maqedoni më të mirë", tha Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE.
"Më 27 prill, qytetarët do të përgjigjen me mbështetje më të madhe dhe do të thonë se çfarë mendojnë për ekipin tonë. Me këtë rezultat qytetarët paralajmëruan se çfarë do të ndodhë më 27 prill, fitore edhe të zgjedhjeve presidenciale edhe atyre parlamentare, fitore e dyfishtë e cila do të sjellë 62 mandate", theksoi Gjorge Ivanov, kandat për president i VMRO-DPMNE-së.
Ndërkohë lideri i opozitës Zoran Zaev dhe kandidati për President Stevo Pendarovski ishin të prerë se lufta nuk ka përfunduar. Pendarovski u shpreh se mbi 320 mijë votat për kandidatin opozitare paraqesin guxim dhe inkurajim për të vazhduar betejën dhe se më 27 prill nuk do të lejojnë të triumfojë regjimi i Gruevskit.
"Dua të porosisë, se lufta nuk ka përfunduar, para nesh është raundi i dytë. Unë kam për qëllim deri në ditën e fundit të luftoj për konceptin, idenë dhe vlerat në të cilat besoj. Jam i bindur se edhe në kushte të tilla presionesh dhe shantazhesh sistematike nga strukturat e pushtetit, mund të arrijmë tek fitorja më 27 prill", deklaroi Stevo Pendarovski, kandidat për president i LSDM-së.
"Ky turp, në raundin e parë të zgjedhjeve nuk do të lejojmë që të përsëritet gjatë raundit të dytë zgjedhor. Jam i bindur se me 27 prill qytetarët e Maqedonisë bashkë me ne do të çohen në mbrojtje të vendit të tyre dhe fitore ndaj këtij regjimi. Në raundin e dytë do të kemi rezultate krejtësisht të ndryshme, ky nuk është vullneti i qytetarëve. Lufta për liri dhe demokraci vazhdon", tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Betejën për president e vazhdojnë Gjorge Ivanov dhe Stevo Pendarovski. Ndërkohë nga gara bien Zoran Popovski i Opsionit qytetar për Maqedoninë dhe Iljaz Halimi, nga PDSH-ja. Bedri Rexhallari