Policia dhe ushtria grabisin në mes ditës një pikë bastesh sportive në Tiranë, në zonën e Kombinatit. Bëhet fjalë për 4 persona, të cilët kanë përdorur këto uniforma për këtë krim, ku dy ishin veshur me uniformë kamuflazhi dhe dy të tjerë me uniformën e Policisë së Shtetit.
Ngjarja është shënuar rreth orës 10:30 të ditës së sotme në zonën e Kombinatit, pranë rrugës "Misto Mame", ku nën kërcënimin e armëve të katër personat kanë marrë një sasi parash, ku zyrtarisht thuhet 10 mijë euro, por nuk përjashtohet që shuma të jetë disa herë më e madhe.
Mësohet se pika e basteve ishte në pronësi të Arben Frrokut, i cili aktualisht ndodhet në burg,nën akuzën e vrasjes së komisar Dritan Lamaj. Mënjëherë pas kësaj, të katër personat me një automjet të llojit Opel, me targa italiane janë larguar nga aty. Në ndjekje të tyre janë vënë forca të shumta policie, por pa mundur ti ndalojnë. Disa minuta më vonë në zonën e Kasharit është gjetur edhe mjeti i djegur, ndërsa aty grabitësit i priste një automjet tjetër.
Ekspertët e policisë së Tiranës po kqyrin të dy vengjarjet si pika që u grabit ashtu edhe makina e djegur. Ndërkaq një kamera e një biznesi në vendin ku u dogj makina, pritet të zbardhë detaje më tepër.
Kjo grabitje spektakolare ngjan edhe me të tjera ngjarje të tilla,si grabitja e një Qendre Tregtare natën e Krishtlindjeve në zonën e Farkës, apo ajo e grabitjes se një koncensionari makinash në autostradën Tiranë-Durrës. Por kjo mbetet ende për tu konfirmuar, nëse bëhet fjalë për të njëjtin grup.