Vetëvrasja e një 52-vjeçareje në qytetin e Korçës rihapi debatin e fortë mes opozitës dhe mazhorancës për largimet nga administrata publike dhe pasojat sociale.
Nga selia blu Koordinatorja për Marrëdhëniet Publike, Grida Duma denoncoi atë që e quajti pasojë dramatike të spastrimeve në administratë.
"Revanshi i shkarkimeve masive, skema anti-ligjore dhe anti-humane e dyshes Rama-Meta është e verbër për të parë dhe e shurdhër për të dëgjuar lutjet e një gruaje, të një nëne dhe të një bashkëshorteje", u shpreh Duma.
I menjëhershëm, i prerë dhe i ashpër ishte reagimi nga Partia Socialiste. Deputetja e qarkut të Korçës, Olta Xhaçka akuzoi se Partia Demokratike po bën politikë me krimin ndërsa shtoi se 52-vjeçarja nuk ishte pushuar nga puna pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
"Mund t'ju them me përgjegjësi të plotë, si deputetë e qarkut Korçë, e interesuar për këtë rast, se nuk ka pasur asnjë pushim apo largim nga puna të zonjës Meko.
I bëj thirrje Partisë Demokratike, Grida Dumës dhe çdo personi tjetër të përfshirë në këtë deklaratë të turpshme, të kërkojnë ndjesë dhe të mos kërkojnë përfitim politik nga çdo gjë. Të paktën, jo nga vdekja dhe fatkeqësia", thuhet ndër të tjera në deklaratën e Olta Xhaçkës.
Brunilda Meka i dha fund jetës në banesën e saj në Korçë duke u vetëhelmuar me një sasi medikamentesh. Familjarët nuk pranuan të komentojnë ngjarjen e cila ndezi debatin në Tiranë.