A1 Report - Defekt ne avionin Tirane-Lubjane ben ulje te detyruar ne Zagreb

2015-08-22 4

ZAGREB- Avioni "Adria" i linjës Tiranë-Lubjanë ka pësuar defekt gjatë fluturimit ditën e sotme, duke bërë ulje të detyruar në Zagreb. Një nga pasagjerët, Paulin Vilajeti, rrëfen për "A1 Report" në një lidhje telefonike se janë lajmëruar se avioni ka pësuar defekt dhe se do të duhet të uleshin në Zagreb, vetëm pak minuta para uljes.

Vilajeti thotë se "defekti që pësoi avioni duhet të ketë qenë serioz dhe i rëndë, për faktin se është bërë ulje e detyruar në një qytet jo shumë larg nga destinacioni i fluturimit".

Pas zbritjes në aeroportin e Zagrebit, udhëtarët po vijojnë udhëtimin me autobus drejt Ljubjanës.

Paulin Vilajeti thotë se u është dashur të presin 45 minuta në aeroport, ndërsa shton se u janë kontrolluar sërisht pasaportat.

"Prisnim të na sqaronin dhe të na transferonin të udhëtonim me linjat e mundshme, por nuk ndodhi kjo.
Qëndruam për 45 minuta në aeroport dhe më pas vendosën të na çonin më autobus drejt Lubjanës", tha Vilajeti.

Ndërkaq, Vilajeti thotë se gjendja shëndetësore e pasagjerëve është e mirë, dhe nuk pati probleme gjatë uljes.

Sipas autoriteteve shqiptare të trafikut ajror, ka qenë një ulje e detyruar për arsye sigurie si pasojë e kushteve klimaterike, dhe nuk ka patur asnjë problem për pasagjerët.