A1 Report - Projektet, ja si do të bëhen Qeparoi Lushnja, Shëngjini dhe Çorovoda

2015-08-22 10

TIRANE- Qeveria ka prezantuar dje katër projektet konkrete në kuadër të reformës territoriale. Zëvendëskryeministri Niko Peleshi publikoi dje në faqen e tij në "facebook" katër projektet ku tregohet se si do të bëhet shëtitorja e Qeparoit, sheshi qendror në Lushnjë, rezidenca turistike në Shëngjin dhe qendra e Çorovodës.

Projektet
Katër projektet janë fillimi i të gjitha planeve të qeverisë për të rindërtuar zonat urbane në Shqipëri ku këto kanë më shumë prioritet. Shëtitorja e Qeparoit parashikon një bulevard që kalon të gjithë vijën bregdetare të zonës turistike. Krahas kësaj, është parashikuar që fshati i Qeparoit të marr nuancat e një fshati tipik turistik bregdetar ku do të hetë edhe zona pushimi për turistët. Pjesë e këtij projekti janë edhe lulishtet e mëdha si zonë pushimi për turistët dhe banorët e zonës.
Projekti tjetër, "Sheshi i Qytetarëve" në Lushnjë parashikon ndërtimin e një unaze transporti si edhe bashkimin e dy shëtitoreve. Unaza do të mbështjellë sheshin në qendër të qytetit. Në të nuk parashikohet kalimi i makinave dhe do t'i lihet më shumë hapësirë këmbësorëve dhe udhëtarëve me biçikleta. Sipas projektit, një rëndësi e veçantë do t'i jepet lulishteve dhe hapësirave të pushimit.
Projekti tjetër, qendra e Çorovodës parashikon ndërtimin e një qendre tipike urbane ku sërish do t'i jepet rëndësi hapësirave të gjelbërta dhe shesheve të pushimit për qytetarët. Në këtë projekt parashikohet edhe një shatërvan i cili do të ketë edhe vende të posaçme për freskimin e turistëve.
Projekti tjetër është ndërtimi i një rezidence turistike në plazhin e Shëngjinit i cili përbëhet nga një kullë dhe një hapësirë shumë të madhe plazhi. Ai do të jetë i rrethuar nga pemë ku në pjesën ballore do të jenë të vendosura palma.