Shërbimi urban në Fushë-Krujë është kthyer në një problem jo vetëm për qytetarët, por edhe kaosin që krijohet nga mosrespektimi i rregullave nga drejtuesit e mjeteve të ndryshme.
Nisma e bujshme e ndërmarrë nga Policia Rrugore për bllokimin e furgonave të palicensuar, jo vetëm që nuk ka gjetur zbatim në këtë qytet, por përkundrazi pronarët e tyre po sfidojnë hapur ligjin dhe efektivët e qarkullimit rrugor duke parkuar sipas dëshirës në mes të qytetit, ndërsa linjave të shërbimit urban po i spostohen stacionet e udhëtarëve, për të cilët ky mjet transporti mbetet më i preferuari bazuar edhe në kursimet financiare.
Drejtuesit e linjave të këtij shërbimi shprehen se jo pak herë janë në shënjestër të gjobave nga qarkullimi rrugor, ku në shumicën e rasteve ato vendosen në distancë.
Për një qytet të vogël si Fushë-Kruja, ky trafik dhe ngërç nuk është aspak normal në një kohë që ai mund të zgjidhet në një kohë fare të shkurtër. Interesimit tonë pranë Shërbimit të Qarkullimit Rrugor mbi situatën e krijuar, nuk i është dhënë asnjë spjegim apo përgjigje zyrtare.