TIRANË- Krerët e drejtorive arsimore rajonale, pas konkurseve maratonë për përzgjedhjen e tyre, tashmë po i nënshtrohen një tjetër prove.
Ministria e Arsimit ka vendosur të masë punën e tyre me anë të votës së mësuesve. Gjatë ditës së sotme, në të gjitha shkollat e vendit, mësuesit kanë hedhur vlerësimin e tyre në kutinë e fshehtë për mënyrën se si kanë punuar deri më tani të gjithë drejtorët e arsimorë rajonalë apo zonalë.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, e ka ndjekur këtë proces nga afër në shkollën e mesme "Çajupi", nga ku ka dhënë mesazhin se dikasteri që ajo drejton është e vendosur të kthejë sigurinë tek të gjithë se nota nuk blihet.
Për të kryer këtë anketim, Ministria e Arsimit ka përcaktuar 63 qendra votimi në mbarë vendin ku rreth 15 mijë mësuesit do të mund të vlerësojnë me "Shumë Mirë" "Mirë", Dobët" dhe"Mjaftueshëm" punën e deritanishme të drejtuesve të arsimit nëpër rrethe.
Pas marrjes së këtij rezultati të parë, MAS do të mund të rishikojë kontratat me drejtuesit e DAR/ZA, pasi aktualisht ata janë në provë.