Një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, të pestat me radhë, sot në Maqedoni të drejtën e tyre të votës në bazë të Kodit Zgjedhorë e realizojnë të burgosurit, të zhvendosurit brenda vendit dhe të sëmurët. Vendvotimet në ora 7 të mëngjesit janë hapur për 39 persona të zhvendosur brenda vendit dhe atë në Institutin "Zdravko Cvetkovski" për 1.706 persona që vuajnë burgimin dhe paraburgimin, derisa në shtëpi votuan personat e sëmurë dhe ata që gjenden në arrest shtëpiak. Në burgun e Idrizovës, të drejtë vote kanë 737 persona që gjenden në vuajtje të dënimit. Atje procesi zgjedhor ka filluar në kohë dhe ka rrjedhur pa ndonjë pengesë të theksuar, përveç faktit se një numër i madh i të burgosurve nuk janë të regjistruar në regjistrin zgjedhor. Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i burgut por edhe nënkryetari i KSHZ-së Subhi Jakupi.
"Procesi zgjedhor në burgun e Idrizovës ka filluar në ora 07:00, vendvotimi është hapur me kohë, të drejtën e votës këtë vit e kanë 737 persona të dënuar. Ne lëshua listën prej 1300 personave deri në KSHZ, KSHZ-ja na e ktheu listën e pastruar me të drejt vote të 737 personave, ashtu që deri në këtë moment kanë votuar rreth 150 persona të dënuar. Gjithçka është ën rregull, deri tani qetë, shpresojmë të jetë kështu deri në fund", tha Zhivko Pejkovski, drejtor i burgut Idrizov.
"Procesi zgjedhor në diasporë, për personat janë të sëmurë dhe për personat të cilët janë në paraburgim dhe nëpër burgje, deri tani kemi informata se procesi ecë sipas normave dhe Kodit zgjedhor. Normal me anomali të cilat janë paraqitur tek të burgosurit që votojnë sot në burgje. Me të cilët kanë potencuar se shumë prej tyre nuk janë në listat zgjedhore", u shpreh Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së.
Për herë të parë këtë vit një ditë para zgjedhjeve mundësi të votimit për president kanë dhe qytetarët e Maqedonisë që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit , me ç'rast për të votuar janë paraqitur 8332 persona. Në bazë të vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, sot dhe nesër do të ketë një shkëputje të fushatës për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 27 prill. Bedri Rexhallari