A1 Report - Tapi dhe ne Vlore, Rama: Ndjekje penale kujtdo qe ve 1 tullë pa leje

2015-08-22 2

VLORE - Qeveria paralajmëron se do të marrë masa penale për të gjithë ata që do të ndërtojnë pa leje, për t'i dhënë kështu fund katraurës së ndërtimeve vend e pavend . Kjo u bë e ditur nga kryeministri Edi Rama nga qyteti bregdetar i Vlorës ku ka shpërndarë titujt e pronësisë falas, për ata që kanë ngritur shtëpi banimi pa leje.

"Ata që kanë ndërtuar pa leje dhe e kanë bërë këtë me sakrifica të mëdha, me kursimet e gjakut në emigracion, me kursimet e bukës së gojës këtu, në vend, për të strehuar familjen e tyre, do të legalizohen falas. Dhe ata që më pas do të guxojnë të vënë një tullë pa leje, do të ndiqen penalisht. Nuk mund të vazhdojë më kjo histori që është e pashembullt për Evropën dhe që e ka bërë Shqipërinë një vend ku "gjej një shesh e bëj një përshesh", tha Rama.

Kreu i qeverisë u ndal poashtu tek abuzimet e bëra nga ana e ALUIZNIT me procesin e legalizimeve në qarkun e Vlorës sidomos përgjatë vijës bregdetare, vetëm për qëllime fitimi e korrupsioni duke shkatërruar imazhin e qytetit.

"Janë legalizuar godina në asnjë mënyrë nuk duhet të legalizoheshin, të ndërtuara në mënyrë abuzive në bregdet, të ndërtuara duke iu marrë qytetarëve pjesët më të bukura të Vlorës dhe duke i marrë Vlorës fytyrën dhe ajrin. Janë legalizuar shtesa pallatesh apo ndërtime të tëra që nuk janë ndërtuar për të strehuar familjen, nuk janë ndërtuar as me paratë e kursyera nga buka e gojës, por janë ndërtuar për qëllime fitimi, për shitje, për tregti dhe për përfitime. Kjo është realisht një faqe e turpshme e një pushteti që kudo ku mundi rrënoi për të përfituar dhe përfitoi duke rrënuar", - u shpreh kryeministri Rama.

Në qarkun e Vlorës janë bërë në vite rreth 25 mijë vetdeklarime dhe janë dhënë lejet e legalizimit për vetëm 2700 ndërtime. Ndërkohë qeveria e mëparshme, në 8 vjet, në rang vendi ka realizuar legalizime në masën 5-6 %, ndërsa në Vlorë ka legalizuar në masën 12 %, shumica dërmuese e të cilave janë legalizime problematike. Në këtë 12 % janë pallate në Sarandë, objekte në Parkun Kombëtar të Butrintit, objekte në bregdet e kështu me radhë.