Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, deklaroi sot se shteti disponon të gjithë instrumentat e duhur dhe duhet ti përdorë për të zbardhur çështjen e mesazhit të Ministrit Tahiri të zbuluar nga deputeti, Flamur Noka në mbledhjen e djeshme të komisionit të hetimit për policinë e shtetit. Për Vasilin ajo që bëri opozita i përket një stili shumë të urryer për shqiptarët, stili i politikës që bëhet nga vrima e celësit.
"Së pari unë kam një koment i cili është tërësisht politik dhe nuk mund të jetë kurrsesi policesk. Komenti ynë është shumë i thjeshtë rreth kësaj çështjeje. Opozita, për fat të keq në stilin e shërbimeve famëkeqe që ky vend ka pasur fatin e keq të përballet, demonstroi një SMS të Ministrit Tahiri, e cila në vlerësimin tim, në atë që u lexua dhe u bë publike ishte shprehje e qartë e një përgjegjshmërie maksimale të ministrit, i cili në një gjuhë shumë të drejtpërdrejtë shkundte strukturat vartëse të tij, duke e zhvilluar këtë me përgjegjshmëri politike të plotë, për të pasur rezultate gjithmonë dhe më të mira në këtë situatë të rendit, që paraqitet problematike e për të arritur këto rezultate në kohë dhe me shpejtësinë e duhur në të mirë, në radhë të parë, të sigurisë së qytetarëve. Gjithçka tjetër për mua, ka bërë dhe duhet ndjekur me instrumentet e duhura, por thelbi politik i asaj që ne pamë ishin dy momente. Një përgjegjshmëri maksimale dhe një shqetësim pa doreza i Ministrit, i cili duhet përshëndetur dhe duhet mbështetur, dhe një stil, do të thosha shumë i urryer për shqiptarët, ai stili që bëhet nga vrima e çelësit.Instrumentet që disponon shteti ligjor për të zbardhur këtë pjesë që është në interesin tuaj janë atje, të cilat mund të përdoren. Kurdoherë që lidhet me këtë çështje, do të duhet të mbahet një qëndrim i caktuar në Parlament. Ne jemi atje dhe sigurisht që do të dekurajojmë politikën që bëhet, siç e thashë, nga vrima e çelësit, por do të promovojmë atë politikë që bëhet hapur, në mënyrë transparente dhe që vë çdo gjë, strukturat, rendin dhe transparencën në funksion të qytetarëve. Ky është qëndrimi ynë i qartë dhe i prerë politik për çështjen"-tha ai.