TIRANE - Goditjet e forta që ka marrë i dënuari shqiptar në Greqi, Ilia Kareli, janë kthyer në vdekjeprurëse për shkak të dëmtimit të zemrës, të cilat në kushtet e një sëmundjeje të mëparshme kardiake, kanë rezultuar fatale. Këto elementë të ekspertizës greke, vijnë të publikuara nga gazeta "I Efimeridha', e cila sjell detaje të reja rreth vdekjes së Karelit në burgun e Nigritas.
Sipas raportit të dy mjekëve ligjorë Mina Gjergjallis dhe Eleni Zagelidhu të bëra në qendrën e ekspertizes ne Athine, goditjet kanë sjellë dëmtimin e zemrës, e cila ka shkaktuar vdekjen edhe nën ndikimin e sëmundjes koronare.
Eskpertiza mjeko-ligjore ka përjashtuar nga akuza e torturave me elektroshok në duart e Karelit, kur shprehet se shenja e dukshme në dorën e djathtë janë nga një plagë e vjetër. I dënuari shqiptar me emrin e vërtetë Kudert Kume u vra nga dhuna dhe torturat e gardianëve grek.
42-vjeçari u gjet i vdekur në qelinë në burgun e Nigritës, pasi ishte dhunuar për 2 orë e gjysmë në një dhomë pa kamera të këtij burgu, dhe më pas ishte lënë lakuriq në qeli. Kareli ishte dërguar në këtë burg nga ai i Melandrinos, ku vrau edhe një gardian grek. Pas krimit Kareli kishte pranuar se e kishte bërë si hakmarrje pasi autoritetet e burgut nuk pranonin kërkesat e njëpasnjëshme të tij për t'u takuar me të ëmën e sëmurë.
Për vrasjen janë nën akuzë 15 gardianë grekë, dhe nga 8 prej tyre që kanë dëshmuar, 6 janë arrestuar.