A1 Report - Energjia ne Kuvend, Berisha: Amnisti per bizneset dhe te varfrit

2015-08-22 0

TIRANË -- Kuvendi i Shqipërisë këtë të enjte është karakterizuar sërish nga debatet mes mazhorancës dhe opozitës, ku ndërmjet çështjeve më të diskutuara ishte ajo për sektorin e energjisë elektrike. Demokratët propozuan amnisti për biznesin që nga viti 2011 si dhe fshirjen e kamatvonesave të energjise elektrike për shtresat në nevojë.

Ish-kryeministri Berisha kërkoi në parlament që Qeveria t'i japë amnisti për energjinë, gjithë familjeve që mbahen me ndihmën sociale dhe shtresës së pensionistëve pasi ata "as tani dhe as pas 5 vjetësh nuk do të mund të paguajnë faturat e energjisë."

Ndërsa hodhi poshtë akuzat e ministrit të Energjetikës dhe të Industrisë, Damian Gjiknuri se në 8 vjet nuk ishte investuar në sektorin e energjisë, Berisha u shpreh se qeveria e majtë është kundër ndërtimit të hidrocentraleve. "Gjiknuri tha se në 8 vite nuk është investuar në energji. Kjo është e pavërtetë. Ju çdo gjë e bazoni në një model të sajuar nga ju vetë, që nuk ekziston. Vetëm në transmetim janë investuar në 8 vjet, 800 milionë euro", tha ai. - "Tani duhet të ndërtohen hidrocentralet, jo të përzihen investitorët, që ata të vjedhin nëpërmjet importit të energjisë. Një shtet që shkel kontratat, është një shtet zuzar", theksoi ai.

Ndryshime ligjore, opozita i hodhi në tryezën e konferencës së kryetarëve të grupeve parlamentare , duke kërkuar që të përfshihen në programin tremujor të punës së Kuvendit, por konsensusi nuk u arrit. Për këtë arsye, pothuajse 30 deputetë të PD-së regjistruan emrin për të kundërshtuar këtë refuzim në seancën plenare, duke bllokuar në këtë mënyrë shqyrtimin e projektligjeve të rendit të ditës.

Pika tjetër ku palët hasën përplasje ishte edhe borxhi ekonomik, për të cilin kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat e opozitës, duke u shprehur se shifrat janë reale, ndërsa i cilësoi si gënjeshtra pretendimet e demokratëve për uljen e të ardhurave.

Bllokimi i herë pas hershëm i punimeve të Kuvendit për diskutime që nuk kishin lidhje me rendin e ditës, e kanë shtyrë Kryeministrin të propozojë ndryshimin e rregullores së parlamentit, për të rikthyer 60-minutëshin e diskutimeve të lira si pikë të parë të rendit të ditës.

Free Traffic Exchange