900 të dënuar dhe të paraburgosur në të gjithë vendin do të lënë sot qelitë e burgjeve dhe paraburgimeve, pas hyrjes në fuqi të ligjit për amnistinë.
Në mesin e të liruarve do të jenë edhe 35 gra të dënuara ndërsa nga zbatimi i ligjit, ulje dënimi përfitojnë të gjithë të dënuarit në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale.
Përzgjedhja e kategorisë së personave që përfitojnë amnisti është bërë duke u bazuar në këto kritere: lloji dhe masa e dënimit; koha e mbetur e dënimit; mosha aktuale e personit të dënuar; mosha e personit të dënuar në kohën e kryerjes së veprës penale. në thelb mbetet rrezikshmëria e ulët e personit apo veprës penale.
Neni 4 i projektligjit ka parashikuar shprehimisht "kriteri ndalues për përfitimin e amnistisë" që do të thotë një garanci e shtuar për mbrojtjen e interesit publik dhe nuk vë në rrezik sigurinë dhe rendin publik. Veprat penale të parashikuara në nenin 4 të projektligjit janë vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe për këtë qëllim, këta persona përjashtohen tërësisht nga përfitimi i amnistisë.
Konkretisht, neni 4 parashikon se nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar për:
a) krime kundër njerëzimit, b) krime kundër jetës, të kryera me dashje dhe vrasje e mbetur në tentativë, c) vepra penale, të kryera me dashje kundër shëndetit; ç) krime seksuale; d) vepra penale kundër lirisë së personit; dh) vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit; e) vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes; ë) vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike; f) vepra penale kundër mjedisit; g) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues; gj) krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera; h) vepra me qëllime terroriste; i) krime kundër autoritetit të shtetit; j) vepra me qëllime terroriste; k) vepra penale kundër drejtësisë; l) vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve; ll) vepra penale të kryera nga banda e armatosur dhe organizata kriminale.
Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar, që i janë shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë. Nga ana tjetër, projektligji, në nenin 5 të tij parashikon se procedimi penal nuk mund të fillojë dhe nëse ka filluar duhet të pushojë për veprat penale të kryera deri në datën 30 nëntor 2013, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të lehtë.