A1 Report - Pensionet, Veliaj: Skema aktuale eshte problematike, duhet reformim

2015-08-22 0

TIRANE- Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, ka mbledhur grupin ndërministror të punës për të diskutuar reformën e pensioneve. Skema aktuale e pensioneve, sipas ministrit Veliaj karakterizohet nga disa probleme, duke përmendur si dy më kryesoret deficitin shumë të lartë dhe numrin shumë të ulët të kontribuuesve. Veliaj tha se reforma në pensione është me rëndësi për vendin, ndërsa theksoi pas diskutimit, dokumenti i politikave për pensionet ku do të prezantohen dy opsioneve do t'i paraqiten Këshillit të Ministrave, për t'u diskutuar me pas në komisione parlamentare.

"Reforma në pensione është me rëndësi për vendin. Ka disa probleme që karakterizojnë skemën aktuale të pensioneve. Deficiti shumë i lartë që e rrezikon skemën dhe numri shumë i ulët i kontribuuesve. Kjo mund të sjellë krizë ekonomike dhe krizë sociale. Skema e re për të cilën po punojmë është moderne, dhe do të garantojë pensione më të lartë në përputhje me nivelet e kontributit. Kemi angazhimin për të realizuar këtë reformë. Do të heqim çdo lloj kufizimi të pensionit maksimal, duke rritur masën e pensionit sipas kontributeve, kush do kontribuojë më shumë do marrë më shumë", u shpreh Veliaj.

Ndërkaq, ministri Veliaj ka shpjeguar edhe mënyrën e funksionimit të pensionit social, për ata persona që nuk kanë mundur të përfshihen në skemën e kontributeve sociale.

"Për ata që nuk kanë pasur mundësi të kontribuojnë fare do të diskutojmë për një pension social. Ky pension social nuk mund të zëvendësojë pensionin që rrjedh nga masa kontributeve, sa i përket masës apo moshës së daljes në pension. Pra nuk është i njëjtë me pensionin normal. Por synon që një person në moshën 70-vjeçare që e gjen veten jashtë skemës së pensionit, të mund të përfitojë nga skemat sociale. Por ky person duhet të vërtetojë mungesën e të ardhurave. Pra është i ngjashëm me skemën e ndihmës ekonomike që ne kemi sot", theksoi Veliaj.

Lidhur me rritjen e moshës së daljes në pension, e cila është edhe pjesa më e diskutuar e reformës, ministri Veliaj tha se kjo nuk do të përfshijë ata që janë në prag pensioni.

"Diskutimet për rritjen e moshës së pensionit nuk do të përfshijnë ata që janë në prag të daljes në pension. Me liberalizimin e universiteteve dhe ndjekjen e studimeve është rritur edhe mosha e hyrjes në punë të një qytetari. Për këtë reformë do të diskutohet edhe me grupet e interesit. Kjo skemë do të prekë më shumë të rinjtë, në mënyrë që të kenë interes për rritjen e masës së përfitimit të pensionit, kur të dalin në pension", u shpreh ministri Veliaj.