Ukrainë, fillojnë bisedimet me ndërkombëtarët

2015-08-22 0

Përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Ketrin Eshton, javën e ardhshme do të takohet me zyrtarë të lartë të SHBA-ve, Rusisë dhe Ukrainës, me të cilët do të bisedojë për krizën në Ukrainë. Në këtë takim, krahas Eshton, do të marrin pjesë edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Keri, Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov dhe shefi i përkohshëm i diplomacisë së Ukrainës, Andrij Deshçija. Sipas diplomatëve të BE-së, takimi do të mbahet në Evropë, edhe pse nuk dihet se ku dhe kur. Ndërkohë, shtabi i aktivistëve pro-rusë që dje pushtoi zyrën e Shërbimit të Sigurimit të Ukrainës në qytetin lindor të Ukrainës - Lugansk, përgënjeshtroi se janë larguar nga ndërtesa. Sipas udhëheqjes, atje aktualisht ka më shumë se një mijë njerëz. Reagimi erdhi pasi më parë Shërbimi i Sigurimit të Ukrainës lëshoi një komunikatë në të cilën theksoi se ndërtesën administrative në Lugansk e braktisën 50 aktivistë pro-rusë. Përndryshe, më së voni deri nesër pritet edhe luftanija e dytë amerikane të lundrojë në Detin e Zi. Qëllimi i operacionit, siç thekson CNN, është që SHBA-të të demonstrojnë mbështetjen për aleatët e Evropës Lindore, të shqetësuar nga prania intensive ruse në kufirin me Ukrainën. Petar Bllazhevski