Rilindja Demokratike Kombëtare akuzoi sot partinë shqiptare në pushtet se në këto zgjedhje, garon me program politike të ngjashme me atë të VMRO-DPMNE-së, ndërsa dështimet e saja i paraqet si arritje. Kandidati për deputet i RDK-së Izet Zeqiri, tha se BDI-ja duhet të sqaroj burimet e investimeve të programit të saj me mbi 1000 projekte.
"BDI duhet të jap shpjegime për dështimet në projektet që nuk i ka realizuar 2011-2014, ku është ujë sjellësi i Tetovës, ku është projekti për sistemin e ujitjes së fushave të Pollogut, 6000 hektar të tokës bujqësore me sistemin Raven Reçicë, ku janë konviktet e Tetovës, projekt me 2.6 milion euro, ku është projekti për restaurimin e kalasë së Tetovës që u dashtë të fillojë në 2008 dhe të përfundoj në 2010, me 3.03 milion euro", tha Izet Zeqiri, RDK.
Zeqiri, po ashtu ka kërkuar sqarime nga BDI-ja se përse ende nuk janë vendosur figurat shqiptare të parapara në kuadër të projektit 'Shkupin 2014'.
"Përse Nexhat Agolli atdhetar Dibran dhe luftëtar i pa etur për liri nuk gjendet në sheshin Maqedonia, përse Pjetër Bogdani, figura më e shquar e letërsisë shqiptare nuk gjendet në qendrën Maqedonia , përse Josif Bageri personalitet i rrallë i rilindjes nuk gjendet në qendrën Maqedonia, por për fatin tonë të keq gjendet car dushan", u shpreh Izet Zeqiri, RDK.
Zeqiri me këtë rast, ka promovuar programin parazgjedhor të RDK-së, i cili sipas tij nuk i ngjason programit të VMRO-së, por është i pastër për realizimin e objektivave shqiptare. Bashkim Sulejmani