Kurora e gjelbër në Laç, shkatërrimi i pyjeve nga prerjet e paligjshme

2015-08-22 3

Shkatërrimi i kurorës së gjelbërt në qytetin e Laçit po vazhdon në mënyrë të pandërprerë, ndërkohë që askush nga institucionet përgjegjëse nuk ka reaguar deri tani për këtë masakër që po ndodh.
Në pamje të parë kjo kurorë pishash ofron një panorame mbresëlënëse, por krejtësisht ndryshe është situata në brendësi të saj, ku dallohet qartë se pemët po priten jo vetëm me sëpatë por edhe motosharreë. Në një kohë kur në vendin tonë flitet për rripyllëzim të Shqipërisë, në Laç po ndodh krejtësisht e kundërta.
Shkatërrimi i kurorës së gjelbër në këtë zonë ka nisur vite më parë, kur territori dhe hapësirat rreth saj u shfrytëzuan për ndërtimin e banesave apo rrugëve lidhëse, pa llogaritur dëmin ekologjik që u shkaktua.
Por kur kanë kaluar shumë vite nga shkatërrimi i parë i kësaj kurore, masakra është ende prezente, ku prerja e pyjeve dhe shfrytëzimi i tyre kryesisht në shërbim të vreshtarisë nuk po ndalet, pasi në fakt askush nuk po ndal autorët. E njohur ndër vite si "mushkërite e qytetit", sot kjo kurorë e gjelbër po degradohet masivisht ndaj dhe ndërhyrja e Specialistësve të Drejtorisë Pyjore duhet të jetë e menjëhershme, për të parandaluar shkatërrimin përfundimtar të saj, e cila është nga të paktat në këtë zonë.