Ambasadori shqiptar në Greqi, Dashnor Dervishi deklaroi sot se zemra e Ilia Karalit është mbajtur nga autoritetet greke për analiza të mëtejshme.
"Jemi njoftuar nëpërmjet komunikimit verbal dhe atij zyrtar. Pardje nga Drejtoria e Çështjeve të Brendshme të Policisë greke, sektorit për çështjet e veçanta u njoftuam përmes një shkrese zyrtare që me qëllim kryerjen e procedurave të nevojshme për verifikimin e rrethanave dhe arsyet e vdekjes së shtetit, Ilia Karelit, u vendos kryerja e procesit së autopësisë, ekzaminimit toksologjik dhe histologjik mbi kufomën, të mostrave biologjike dhe organeve të të vdekurit. Ndërkohë kërkohet nga policia greke që të merren masa për marrjen në dorëzim të mostrave të organeve të lëkurës dhe të tjera që janë marrë nga kufoma gjatë procesit të ekzaminimit mjeko-ligjor, nga katedra e mjeksisë ligjore dhe toksilogjisë në Universitetin Kombëtar të Athinës"deklaroi Ambasadori,duke shtuar se monstrat janë në dispozicion të familjarëve, të cilët në rrugën që ata do të zgjedhin mund të tërhiqen në çdo moment.
Në një prononcim për tv Ora News, ambasadori Dervishi tha se për rastin e Karelit janë arrestuar 7 gardianë dhe 7 të tjerë pritet të arrestohen.
"Kemi kërkuar shpjegime që që ditën e parë që u konstatua kjo ndodhi, Konsulli ynë i Përgjithshëm në Selanik mori kontakt me drejtuesit kryesor të Prokurorisë së rrethit dhe hetuesisë që na dhanë të gjithë shpjegimet e rastit. Dhe ndërkohë ka vazhduar kjo gjë edhe nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë këtu në Athinë me Prokurorin e çështjes dhe hetuesin që është ngarkuar për ndjekjen e këtij rasti. Praktikisht hetuesia akuzon 15 të pandehur si protagonistë në torturimin e të burgosurit shqiptar, tortura që përfundimisht çuan në vdekjen e tij. Praktikisht kanë filluar të merren dhe masat konkrete, duke arrestuar 7 të pandehur, pritet të arrestohen dhe 7 të tjerë që akuzohen për ushtrim torture që çuan në vdekjen e personit" u shpreh ambasadori në një bisedë telefonike pasditen e sotme për gazetarin Edvin Peçi.