TIRANE- Në tre raste, të referuara si tipologji në raport, që riprodhohen më poshtë, tregohet se si, pas dyshimeve, është arritur në konkluzionin se ishte fjala për pastrime parash të pista.
Në rastin e parë, lindën dyshime nga përshkrimi i mënyrës së kthimit të huasë, nga fitimet e realizuara nga shoqëria 'M', ku huamarrësi zotëronte 100% të kuotave, pra fitime ende të papërfituara dhe ende të parealizuara dhe për rrjedhojë nuk dihej burimi i vërtetë i këtyre fondeve.
Në rastin e dytë, u arrit në konkluzionin se ishte fjala për ushtrim të aktivitet fiktiv. Ndërkohë, në rastin e tretë transportimi i shumave të larta jashtë kufirit, përdorimi i dyshimtë i kredisë, përdorimin e shpeshtë të parasë në dorë, çoi në konkluzionin se kishim të bënim me pastrim parash.
Ndërkohë, ajo që të bën përshtypje në këtë raport, për veprimtarinë gjatë vitit 2013, është edhe fakti që vetëm 2 raste janë dyshuar në aktivitetin e lojrave të fatit.
Nga ana tjetër, në Shqipëri u zbulua vetëm së fundi veprimtaria e disa grupeve terroriste ndërkombëtare, që rekrutonin, edhe në sajë të financimeve nga jashtë vendit, besimtarë fanatikë për t'i dërguar të luftonin për "xhihad" në Siri.
Megjithatë, organeve të Parandalimit të Pastrimit të Parave, madje edhe Prokurorisë nuk u ka rënë gati fare në sy asgjë e dyshimtë, megjithëse një nga detyrat e tyre funskaionale është pikërisht monitorimi dhe zbulimi i kalimit të dyshimtë të parave edhe për financimin e terrorizmit. Në raportin e paraqitur dje në Kuvend nga ana e kreut të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave Genti Gazheli thuhet se vetëm në një rast është dyshuar për financim të terrorizmit. Ky dyshim ka lindur duke hetuar origjinën e veprimtarisë së personit apo personave që kanë patur lidhje me financime të ndryshme, por edhe kjo ka ardhur nga puna e Drejtorisë në fjalë dhe jo nga organi i Akuzës. Nga 283 raste të dyshuara për pastrim parash, pjesa më e madhe, 196 të tilla, kanë mbetur pa gjetur lidhjen me origjinën e veprimtarisë kriminale që ka gjeneruar këto para të pista. Dyshimi më i lartë me 28 raste ka patur lidhje me veprat mëmë të evazionit tatimor, 18 raste të tjera kanë patur lidhje me aktivitetin e personave që merren me trafikim të lëndëve narkotike dhe 12 raste të tjera lidhen me veprën penale të mashtrimit, sipas raportit të Gazhelit.
Janë 108 raste të raportuara si të dyshimta, që e vendosin rajonin e kryeqytetit në "Olimpin" e pastrimit të parave të pista, pasuar nga Fieri me 25 dhe menjëherë pas tij nga Vlora me 24 të tilla.