SHBA- Zyrtarët e lartë të BE-së, Rusisë, SHBA dhe Ukrainës do të takohen javën e ardhshme për të diskutuar rreth situatës në Ukrainë. Ky do të jetë dhe takimi i parë mes 4 palëve që prej fillimit të krizës në rajon.
Përfaqësuesja e Lartë e BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton do të takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, dhe me ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës, Sergei Lavrov e Andri Deshçtryzia. Vendi i takimit ende nuk është bërë i ditur por një zyrtar i BE-së tha për BBC se do takimi do të zhvillohej në një vend të Europës.
Situata në Ukrainë është rënduar me aneksimin e Krimesë si dhe me zaptimin e godinave qeveritare në Donetsk, Kharkiv dhe Luhansk gjatë ditëve të fundit.
Në Donetsk, Këshilli i Donbass shpalli pavarësinë duke krijuar Republikën Popullore të Donetskut. Këshilli gjithashtu vendosi të mbajë referendum për t'u ndarë nga Ukraina, jo më vonë se 11 maji.
Moska refuzon të njohë qeverinë e re ukrainase, e cila sipas tyre ka ardhur në fuqi me anë të grushtit të shtetit.
Dje NATO paralajmëroi Rusinë se ndërhyrja në Ukrainë do të ishte një gabim historik e cila do të sillte pasoja të rënda. Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Anders Fogh Rasmussen i kërkoi Rusisë të tërheqë trupat e saj në kufirin lindor me Ukrainën.
Por sipas presidentit rus Vladimir Putin, Rusia thjesht po mbron interesat e rusë-folësve dhe nuk ka qëllim pushtimin e Ukrainës.