A1 Report - Basha firmosi hapjen e tenderit prej 3.9 mld lekë për 220 kamera

2015-08-22 3

TIRANE- Tenderi prej 3.9 miliard lekësh të vjetra për instalimin e kamerave në rrugët e Tiranës, ka marrë spunto nga një vendim i firmosur prej ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, sot kreu i Partisë Demokratike. Burime pranë njësisë hetimore pranë prokurorisë së Tiranës thanë se ky urdhër ka qënë pjesë e materialit të kallëzimit penal të dorëzuar pak ditë më parë nga ministria e Brendshme.

Duke ju referuar këtyre burimeve, mesohet se ish-ministri Basha me vendimin e marrë në vitin 2010, ka autorizuar ngritjen e një komisioni për vlerësimin e ofertave të një tenderi, që është zhvilluar në mënyrë sekrete, por pa argumentuar pse është përdorur kjo taktikë e tillë. Burimet shprehen se pas këtij vendimi është krijuar grupi i punës me specialistë inxhinjerikë, oficerë policie dhe zyrtarë të tjerë të ministrisë dhe Policisë së Shtetit. Momentalisht dosja e blerjes dhe instalimit të kamerave në rrugët e Tiranës me një vlerë prej 3.9 miliard lekësh,i është deleguar Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, me qëllim plotësimin e saj me dokumenta shtesë, që tregojnë praktikën e këtij tenderi. I gjithë tenderi flet për instalimin e 220 kamerave.

20 persona në pyetje
Njësia hetimore Task-Forcë, pritet të marrë në pyetje rreth 20 persona, të cilët janë të kallëzuar për akuzën e "Shpërdorimit të detyrës". Një proces i tillë sipas akuzës do të ndodhë pas verifikimit me detaje të gjithë dokumentacionit që flet për tenderin 3.9 miliard lekë dhe lidhjen e një kontrate sekrete me kompanisë italiane që kishte fituar të drejtën e vendosjes së kamerave. Mes personave të kallëzuar janë shtetasit Hysni Burgaj, ish-drejtor i policisë së Shtetit, dy ish-drejtorët e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Rasim Borishi, Dashamir Maçi dhe ish-shefin e TI Arbër Hysi.

Sekreti i hapur
"A1Report" dhe gazeta "Shqiptarja.com" kanë siguruar raportin e auditit me 39 faqe, që ndodhet në dosjen e procedimit penal të rregjistruar me numër 2046 të vitit 2014 të datës 28 mas 2014, ku thuhet se: "Në të gjitha procedurat e prokurimit është përdorur referenca e nenit 6 të Ligjit Nr.9643, datë 20.11.2006, i ndryshuar, i cili bën fjalë për kontratat sekrete, kontratat që kërkojnë masa të veçanta sigurie dhe kontratat që diktohen nga interesa thelbësorë të shtetit.

Grupi i auditimit arrin në konkluzion se këto kontrata nuk duhet të quheshin si të tilla, pasi për ketë projekt punimet kanë qenë në terren të hapur, vendosja e kamerave është bërë në rrugë dhe sheshe ku shikohen nga të gjithë, dhe nga hartuesit dhe nënshkruesit e kontratave nuk ka një analizë për cilësimin e këtij projekti si sekret". Në raport thuhet dhe se në të gjitha kontratat e lidhura për shumën 389.348.000 lekë, midis autoritetit kontraktor dhe sipërmarrësve për punime civile, instalime e montim kamerash, nuk është caktuar mbikëqyrës punimesh.

Shkrimi u publikua sot (9.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)