A1 Report - Komisioni Hetimor, Sokol Bizhga: Emerimi im ne Polici, sipas ligjit

2015-08-22 19

TIRANE- Në mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor për Policinë e Shtetit, dëshmon Sokol Bizhga, zv/drejtor i Përgjithshëm dhe shef i hetimit. Para këtij posti hetimor, Bizhga ka mbajtur gradën Kryekomisar. Në Komision kanë dëshmuar edhe shefat e komisariateve të kryeqytetit, si dhe ish-zëvendës Drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku.

Deputeti Arben Ristani duke iu drejtuar Bizhgës ka pyetur "se çfarë grade duhet për t'u bërë zv/drejtor?".

Në përgjigje, Bizhga tha se "Në 1999-2006 isha drejtor i parë me gradë ekuivalente. Në mënyrë të paligjshme më kanë hequr 2 grada në 2006".

Ndërsa pyetjes së Ristanit nëse ka pasur masa disiplinore ndaj tij, Bizhga tha se "Isha i penalizuar, por jam rritur në gradë kur isha në detyrë. Masa disiplinore tani është shlyer. Ligjërisht jam zv/drejtor pa asnjë mangësi dhe shkelje".

I pyetur nga deputeti socialist Taulant Balla se kush e propozoi tek ministri Tahiri, Bizhga tha se është propozuar nga Hysni Burgaj.

"Kam karrierë 20-vjeçare në polici, jam plagosur në detyrë. Nëse ka shkelje në emërimin tim, largohem nga detyra, jo nga policia.

Duke replikuar deputeti Noka tha se "Burgaj tha dje që nuk ju ka propozuar për zv/drejtor", ndërsa Bizhga theksoi se "Unë kam urdhërimin e ministrit për t'u bërë zv/drejtor".

Ndërkaq, Bizhga tha se Policia shqiptare bashkëpunon me homologët italiane për zbulimin dhe goditjen e trafikut të drogës, duke iu përgjigjur kështu deputetit të PD-së, Eduard Halimi, i cili tha se "ka raportime nga italianët që policia shqiptare nuk e kap dot drogën".

Ndërsa, anëtari i komisionit Paulin Stërkaj duke marrë shkas nga replikat e Ristanit the se "Ju z.Ristani jeni ngatërrestar".

Një tjetër temë ku është ndalur diskutimi ka qenë banda e tritolit. Deputeti Eduard Halimi tha se "Grupi i tritolit të Julian Sinanajt u zbulua me vonesë. Dëshmia e Ndriçim Gjokonës u mor me vonesë, dhe keni rrahur shtetasin Ndriçim Gjokona".

Por Bizhga tha se "E kemi dëgjuar dhe e morëm në mbrojtje familjen e tij".