A1 Report - Dita Nderkombëtare e Romeve,Veliaj: Me shume kujdes mjekesor dhe punesim

2015-08-22 0

TIRANË- Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj në një takim me disa familje rome në Qendrën Tranzitore të Emergjencave në Tufinë, u shpreh se do t'i kushtohet më shumë vëmendje kujdesit shëndetësor ndaj këtij komuniteti. Veliaj u ndal edhe në çështjen e punësimit të romëve, ndërsa tha se deri tani janë dy persona nga ky komunitet të punësuar në ministrin që ai drejton.

"Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, institucionet rajonale të kësaj ministrie, si dhe me spitalet private, kemi arritur të kemi një kontroll mjekësor të përgjithshëm, që asnjë fëmijë dhe i moshuar të mos ngelet pa u vaksinuar, asnjë grua shtatzënë të mos ngelet pa u trajtuar me ndihmë mjekësore, në komunitet apo në qendrat spitalore", tha Veliaj.

"Lajmi i mirë është se ka pasur një lëvizje edhe nga Bashkia e Tiranës, kryesisht nga Këshilli Bashkiak, i cili ka filluar lëvrimin e dokumentacionit për banesa sociale për komunitetin rom dhe egjiptian. Kjo nismë duhet të shtrihet në të gjitha bashkitë e vendit", shtoi ai.

Prej më shumë se një jave, ekipit të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i janë shtuar edhe dy të rinj nga komuniteti rom dhe egjiptian për të dhënë shembullin edhe për ministritë dhe institucionet e tjera.

Duke u fokusuar tek punësimi i komunitetit rom, Veliaj u shpreh se ka përpjekje për punësimin e tyre në institucione, si dhe janë dhënë mikrokredi për 4 familje që jetojnë në qendrën tranzitore të Tufinës për hapjen e bizneseve të vogla, në mënyrë që ato të rimëkëmben ekonomikisht për t'ua liruar hapësirën familjeve më në nevojë. "Shqipëria e bukur është një Shqipëri me diversitet", tha ministri Veliaj.

Veliaj ka qenë i shoqëruar nga zv/ministrja e Shëndetësisë, Milva Ikonomi, e cila premtoi shërbim dhe kujdes shëndetësor më të mirë ndaj këtij komuniteti, dhe nga përfaqësuesja e PNUD-it në Shqipëri, Zineb Touimi-Benjelloun.

Free Traffic Exchange