TIRANË -- Fëmijë romë janë ulur sot në karriget e deputetëve në sallën e Kuvendit të Shqipërisë,pasi e kanë vizituar atë dhe kanë shuar kureshtjen rreth saj. Ka qënë Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, që ka pritur fëmijët e këtij komuniteti në këtë sallë dhe ka nisur të bashkëbisedojë me ta në Ditën e tyre Ndërkombëtare.
Fëmijët i kanë drejtuar një mori pyetjesh Metës dhe më pas, kanë diskutuar me të për për problemet e tyrë.
Në takimin e fëmijëve me kreun e Kuvendit ishin të pranishëm edhe deputetë e përfaqësues të organizatave për të drejtat e fëmijëve në Shqipëri.
Përfaqësues të komunitetit rom, po sot, nga ky takim, kanë lexuar edhe një letër të hapur drejtuar ministrit të Mirëqënies Sociale, Erion Veliajt, në të cilën shprehnin shqetësimet me të cilat përballen dhe kërkonin zgjidhjen e disa prej çështjeve më akute, si shkollimi dhe regjistrimi i fëmijëve në gjendje civile e deri te trajtimi shëndetësor, mbështetje me psikologë këshillimorë apo rikonstruksion të shtëpive të amortizuara. Përveç kësaj, ata propozuan që në tekstet shkollore të përfshihet edhe historia e komunitetit rom.