TIRANE - Shtatë politikanë shqiptarë po hetohen për pastrim parash. Deklarata është bërë sot në Komisionin e Sigurisë nga kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Genti Gazheli. Gjithashtu, ai theksoi se janë ngrirë llogaritë bankare të disa personave të dyshuar për terrorizëm.
'Ka mungesë informacioni për ecurinë e rasteve për pastrim parash në prokurori,"- u shpreh ai. - "Ende nuk ka një sistem të konsoliduar për ndjekjen e çështjeve për pastrim parash, megjithëse është nënshkruar një marrëveshje për këtë qëllim. Pavarsisht nga të dhënat, të cilat janë të pjesshme dhe të pakonsoliduara, numri i rasteve që dërgohen në gjykatë për pastrim parash është i ulët dhe akoma më i ulët është numri i vendimeve të dënimit."
Në raportin e Gazhelit, nuk munguan as kritikat në drejtim të Prokurorisë, pasi ky institucion nuk i heton si duhet dosjet e referuara nga drejtoria e tij.
''Konstatohen vonesa të paarsyeshme në hetimin e rasteve, hetime krejt të mangëta, arsyetime të pabazuara, moskuptim i veprës penale dhe pastrim i produktit të veprës penale nga Prokuroria; çështjen pushohen nga Prokuroria, nuk shkojnë në gjyq," -u shpreh ai.
Gazheli kritikoi ndërkohë edhe punën e paraardhësit të tij në këtë institucion duke theksuar se ndërkohë që gjatë gjithë vitit 2013 u bënë gjithsej 13 inspektime, vetëm në 3 mujorin e parë të këtij viti janë bërë mbi 20 të tilla.