PDSH-ja opozitare akuzoi ministrin e Mbrojtjes Talat Xhaferin se në mënyrë të paligjshme ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë 'Pucko Petrol', pronë e kryetarit aktual të Komunës së Pllasnicës Ismail Jahovskit. Bekim Fazliu tha se me këtë marrëveshje Xhaferi ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke nënshkruar marrëveshje me këtë kompani për furnizimin e Ministrisë së Mbrojtjes me lëndë djegëse.
'Në bazë të kësaj kontrate obligohet ta furnizoj ministrinë e mbrojtjes me 1 milion e 200 mijë litra mazutë, naftë për ngrohje, kurse Ministria e mbrojtjes ti paguaj plot 56 milion denarë firmës Pucko Petrol. Sikur kjo shumë të mos mjaftonte, Talat Xhaferi u përkujdes që kësaj kontrate jo-ligjore ti shtoj edhe 553 435 litra vaj për djegie në vlerë totale prej 29 milion e 6600 denarë. Apo sipas kësaj kontrate shuma e nënshkruar në total është 85 milion e 6 mijë 600 denarë', deklaroi Bekim Fazliu, PDSH.
Fazliu tha se për të njëjtën kontratë nuk është hapur procedurë për furnizime publike apo tender, gjë që është në kundërshtim me dispozitat ligjore.
'Çmimin e korrupsionit të funksionarëve të BDI-së për çdo ditë po e paguajnë shqiptarët të cilët janë të privuar tërësisht nga mundësia e zhvillimit, e si pasoj numri i të papunëve tek shqiptarët arrin shifra rekorde. Ne nuk jemi të shqetësuar që ju të BDI-së vidhni dhe korruptoheni, por çmimin e hajnisë tuaj e paguajnë shqiptarët', u shpreh Bekim Fazliu, PDSH.
PDSH-ja kërkoi nga organet kompetente që të ndërmarrin masa në përputhje me ligjin. Akuza të tilla PDSH-ja opozitare ditë më parë lëshoi edhe për ish ministrin e mbrojtjes Fatmir Besimi. Bedri Rexhallari