A1 Report - Dita Nderkombetare e Romeve thirrje per perfshirje sociale

2015-08-22 10

Dita Ndërkombëtare e Romëve është një kremtim i historisë Rome, traditave dhe kulturës, ashtu si edhe thirrje për përfshirje sociale. Kjo ditë synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballen komunitetet Rome në të gjithë botën.

Kjo ditë është deklaruar zyrtarisht në vitin 1990 në Poloni gjatë Kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom, në nderim të takimit të parë ndërkombëtar të përfaqësuesve Romë mbajtur në Prill të vitit 1971.

Romët kanë zhvilluar traditat e tyre në muzikë, poezi, kërcim dhe pikturë. Muzika tradicionale rome është ndoshta pjesa më e njohur e kulturës Rome. Muzika e tyre ka influencuar kompozitorët e muzikës klasike të tillë si Franz Liszt dhe Johannes Brahams. Violina, kitara dhe klarineta janë instrumentet e preferuara të muzikantëve romë.

Kërcimi tradicional është një tjetër element i rëndësishëm i kulturës rome, ka ruajtur elemente nga India, ashtu siç edhe ka përfshirë elemente nga kultura e vendeve në të cilat romët kanë jetuar. Kërcimi Flamengo përfaqëson ndoshta shembullin më të dukshëm të kontributit të romëve në stilin e përgjithshëm të kërcimeve.

Gjuha rome është ruajtur mirë dhe flitet në të gjithë botën në dialekte të ndryshme. Vitet e fundit shumë studiues kanë punuar për ta standardizuar gjuhën rome duke prodhuar abetare dhe fjalorë.

Analizat gjuhësore kanë treguar se ajo është shumë e ngjashme me gjuhët e folura në Indinë qendrore dhe veriore dhe kjo lidhje gjuhësore besohet se dëshmon origjinën gjeografike të romëve.

Romët kanë shkëlqyer edhe në punimet artizanale si në punimin e metalit, qëndisjen dhe gdhendjen e bizhuterive. Shportat e kashtës të punuara me dorë janë një tjetër produkt tipik i Romëve.

Veshjet tradicionale përdoren akoma gjerësisht në disa komunitete Rome, ku gratë veshin fund të gjatë të lidhur në të majtë të belit, një bluzë dekolte, një jelek bolero, një përparëse dhe vathë me ngjyra.

Vitet e fundit kultura rome është njohur dhe promovuar nga shteti shqiptar dhe institucionet publike. Në Mars 2009, një seksion i Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë i është dedikuar veshjeve tradicionale Rome. Përveç kësaj është mbështetur në mënyrë aktive organizimi i Panairit Kulturor Rom.