A1 Report - Tirane, Bozdo: Ndajme se shpejti 385 shtepi, kemi 1200 kerkesa

2015-08-22 0

TIRANË -- Bashkia e Tiranës do të ndajë së shpejti 385 banesa sociale, ndaj është duke shqyrtuar 1200 kërkesat e paraqitura. Bashkia do t'i propozojë Këshillit, kriteret për vendosjen e qerave minimale dhe maksimale si dhe subvencionimin e familjeve me të ardhura të ulëta.

Nënkryetari i Bashkisë, Eno Bozdo, pasi ka parë banesat e përfunduara, deklaroi sot se "Bashkia i ka propozuar Këshillit Bashkiak, kriteret thelbësore për vendosjen e qerave minimale dhe maksimale për të gjithë ata qytetarë të Tiranës që i duan banesat sociale. Ka dy nivele qeraje, të cilat shkojnë në logjikën e nivelit të të ardhurave të banorëve. E reja që ne kemi futur është subvencionimi i qerasë. Pra, në qoftë se kemi një familje me të ardhura të ulëta që nuk kap nivelin minimal të të ardhurave, atëherë përfiton qeranë më të ulët duke u subvencionuar nga Bashkia.
Bozdo ka theksuar se pas marrjes në dorëzim rreth një muaji më parë të banesave sociale ka nisur punën për përfundimin e te gjitha modaliteteve që do të çojnë në shpërndarjen sa më parë të tyre. Aktualisht, po shqyrtohet dokumentacioni i 1200 aplikimeve.

"Jemi plotësisht të gatshëm që 385 apartamentet t'i shpërndajmë në më shumë se 1200 aplikime të marra deri më sot nga qytetarët e Tiranës, duke filluar që nga viti 2007 kur u premtuan për herë të parë.

Me këtë rast u bëj thirrje të gjithë atyre që kanë aplikuar të rifreskojnë dokumentacionin, sepse është kërkesë ligjore.

Ne kemi një staf plotësisht në dispozicion të tyre, të këshillimit të dokumenteve që duhet të sjellin, por nga ana tjetër sapo dosjet e para të jenë gati, me miratimin e vendimit në Këshill Bashkiak, ne do të fillojmë menjëherë dhënien e banesave sociale për qytetarët e Tiranës, dhe veçanërisht sipas pikëavarazhit të caktuar për shtresat në nevojë"-përfundoi nënkryetari i bashkisë.