Shkodër, masa për Ermir Gjergjin, ekzekutoi vjehrrin e motrës, Gjykata: 14 vjet 8 muaj burg

2015-08-22 3

Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka dënuar me 14 vjet e 8 muaj burg shtetasin Ermir Gjergji, për kryerjen e veprës penale të "vrasjes me dashje", parashikuar nga neni 76 i Kodit penal.
Gjyqi u zhvillua pa praninë e mediave dhe u kryesua nga trupa gjykuese e përbërë prej gjyqtarëve: Arbër Çela, Erjon Bani dhe Aleks Nikolli. Autori i vrasjes së vjehrrit të motrës, ngjarje e ndodhur në 23 tetorin e 2013-ës në fshatin Gur i Zi, kërkoi mëshirë nga trupi gjykues pasi ka pranuar vrasjen dhe u shpreh se është penduar për veprën e kryer.
Në pretencën e lexuar para trupës gjykuese, prokurori i ëeshtjes kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit Ermir Gjergji, për kryerjen e veprës penale të "Vrasjes me paramendim për hakmarrje" dhe "mbajtjes pa leje të armëve luftarake" dhe dënimin e tij me 35 vite burgim. Ndërsa avokati mbrojtës, Arbër Raja, kërkoi ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale duke marrë parasysh edhe kohën e paraburgimit.
Në fund të seancës gjyqësore, togat e zeza kanë vendosur që të deklarojnë fajtor 29-vjeçarin Gjergji, duke e dënuar me 22 vite burg, por duke qënë se gjykata ka pranuar gjykimin e shkurtuar, Gjergjit i është ulur 1/3 e dënimit duke u dënuar vetëm me 14 vite e 8 muaj burg.
Zanafilla e këtij krimi ka të bëjë me motrën e autorit, që ishte e martuar me djalin e viktimës ndërsa çifti ndodhet në Amerikë dhe ka dy fëmijë. Sipas pretendimeve te familjes Gjergji, Albina Gjergji dhunohej nga bashkëshorti i saj, djali i viktimës. Kjo situatë ishte bërë e padurueshme për vëllain e Albinës ndërsa kishte kërkuar disa herë nga familja Ejlli që të zgjidhin këtë problem, ndërsa mbrëmjen e 23 Tetorit të 2013-ës ka marrë vendimin fatal duke ekzekutuar 67- vjecarin Zef Ejlli, babain e dhëndrrit të tij. Ngjarja ndodhi në një lokal në Gur të Zi, ku viktima u qëllua me breshëri automatiku.