Autostrada Fushë Krujë-Milot burim aksidentesh, lapidarë përgjatë aksit, s'ka sinjalistikë

2015-08-22 7

Një ndër segmentet rrugore me më shumë viktima nga aksidentet rrugore në vend është autostrada Fushë Krujë-Milot, e cila edhe pse ka nisur para shumë vitesh ende nuk është përfunduar.
Problematika vijon që në rrethrrotullin provizor të vendosur në kryqëzimin e Milotit, aty ku devijohet udhëtimi edhe për në Rrugën e Kombit.
Ky rrethrrotullim është në këtë gjendje prej më shumë se një viti, ndërsa orientimi shpesh herë behët në mënyrë të gabuar si pasojë e mungesës së sinjalistikës.
Pak më tutje syri të kap devijimin e rrugës, pasi punimet nuk kanë përfunduar dhe nga ky devijim kanë gjetur vdekjen edhe dy persona, gjë që dëshmohet edhe përmes lapidarëve.
Nga Miloti në Laç, në një pjesë të madhe të autostradës të njërit kah mungojnë fare trafik ndarëset. Në udhëtimin nga Laçi drejt Fushë Krujës, situata vjen dhe bëhet edhe më problematike.
Në këtë segment punimet janë lënë përgjysmë, ndërsa pjesa ndarëse e autostradës mungon totalisht. Në këtë rrugë janë të vendosura disa tabela që njoftojnë për punë dhe që lajmërojnë drejtuesit e mjeteve të ulin shpejtësinë ,por në fakt aty nuk ka asnjë punonjës.
Një tjetër problem për aksin që është i përfshirë si "njollë e zezë"në hartën e aksidenteve rrugore është edhe mungesa e mbikalimeve.
Në mungesë të tyre banorët shpesh kalojnë në krahun tjetër, duke hipur mbi parmake dhe duke marrë mbi vete riskun e ngjarjeve të rënda, te cilat per fat te keq nuk kane munguar.

Free Traffic Exchange