THETH- Rruga për në fshatin Theth të Malësisë së Madhe është bërë më në fund e kalueshme. Pas rreth 10 ditësh punë banorët e fshatit të ndihmuar së fundi edhe nga përfaqësuesit e pushtetit lokal, kanë arritur që të zhbllokojnë rrugën e Thethit, e cila ka qënë e bllokuar që prej muajt Janar nga dëbora.
Sipas kryekomunarit të Shalës, Bal Vuksani, zhbllokimi i rrugës u bë falë bashkëpunimit mes pushtetit lokal dhe banorëve zonës.
Ky segment rrugor, çdo sezon fundvjeshte nis të bllokohet nga dëbora dhe qëndron i tillë deri në fund të pranverës. Për shkak të lartësisë mbi nivelin e detit prej 1300 metrash, të rrugës në segmentin e Qafës së Tërthores, zona e thellë malore e Thethit qëndron e izoluar nga dëbora.
Bllokimi i rrugës ka ndikuar në turizmin e Thethit, pasi shumë vizitorë sidomos të huaj, janë detyruar të kthehen pas.