Butel, 22 vjeçari kërkon ndihmë për kurim

2015-08-22 14

Dikur luante futboll, shëtitej me shokë dhe ngjitej shkallëve pa ndihmën e askujt, ndërsa sot, shok i pandarë i jetës i është bërë kjo karrocë. Ky është 22 vjeçari Erkan Qahili nga lagjja Butel e Shkupit i cili vuan nga "distrofia progresive muskulore" ose ndryshe e njohur si sëmundje e cila i dëmton muskujt të cilët bëjnë kontrollin e lëvizjeve. Erkani thotë se e ndjen çdo pjesë të trupit por nuk ka forcë për të lëvizur.

"6 vjet jam në karrocë, më herët kam ec, kam luajtur futboll, kam vozitur biçikletën. Mundem me lëviz ama nuk mundem me u ngjit nëpër shkallë, mundem me hangër vet, me shku deri në banjë ama nuk mundem me hyp, nuk kam fuqi. Këmbët a i ndjen? Po, i ndjej po nuk kam fuqi. Kur e ke kuptu se ka nis të dobësohet lëvizja e këmbëve? Pas 10 viteve, ngadalë ngadalë sëmundja më shumë edhe më shumë ka nis të më prek. Nëna dhe babai më ndihmojnë me hyp nëpër shkallë, me hyp në karrocë, masandej unë vet dal dhe lëvizi me karrocë", deklaroi Erkan Qahili, i sëmurë.

E vetmja shpresë për Erkanin është Qendra mjekësore për qelizat amë "Vu" në Peking prej ku i kanë garantuar përmirësimin e gjendje së tij shëndetësore. Në këtë qendër ai duhet të qëndroj katër javë ku do të kryej ndërhyrje kirurgjikale, implantimin e qelizave amë dhe fizioterapi. Të gjitha këto bashkë me shërbimet tjera mjekësore kapin shumën mbi 30 mijë euro, shpenzime të cilat nuk mund ti mbuloj familja Qahili, andaj ata bëjnë apel për të ndihmë.

"Duhet një terapi me qelizat amë, duhet katër javë me qëndru atje, kushti është 30 mijë dollarë veç terapia, vet i paguan ushqimin dhe fjetjen. Kjo është një shumë mjaft e madhe, a keni mundësi që ju vet ta paguani këtë shumë? Jo, nuk kemi mundësi, në këtë botë edhe milioneri nuk ka 35 mijë euro menjiher mi pagu..A ke kontaktu me mjekët në Kinë, a ua ke dorëzu dokumentacionin se si është sëmundja jote? Po, krejt i kam dërgu dhe më kan kthy mesazh se ka ilaç që mundet me ma ndal sëmundjen ose të bëhem më mir", tha Erkan Qahili, i sëmurë.

Për shkak të gjendjes shëndetësore Erkani nuk ka arritur ti vazhdojë studimet por shpreson se një ditë ëndrra e tij për dizajnues të internet faqeve do të bëhet realitet. Derisa është në pritje të grumbullimit të shumës së lartpërmendur ai çdo ditë shkon në palestër sportive ku përmes ushtrimeve të ndryshme ndihmon lëvizjet e duarve dhe këmbëve. Melihate Rustemi



Të interesuarit që dëshirojnë të ndihmojnë 22 vjeçarin Erkan Qahili mund të kontaktojnë në numrin e telefonit:

Erkan Qahili + 389 76 577 842

Ose të dhuroni 100 denarë në numrat e telefonit 070/143-106 dhe 077/143-701



Ose përmes xhirollogarisë:

Erkan Kahill

Stopanska Banka: 200002442846246

$ SWIFT : STOBMK 2X

Numri i llogarisë : 200002695950189

IBAN : MK07200002695950189