Meta vijon vizitën në Kosovë, takime me krerë të shtetit, politikës dhe pakicat serbe

2015-08-22 0

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në vijim të vizitës zyrtare në Kosovë është pritur në një takim nga Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Gjatë takimit, Meta, pasi vlerësoi lart arritjet e Kosovë dhe shprehu përkrahjen e gjithanshme të Shqipërisë për Kosovën, premtoi se do të angazhohet dhe do të ketë një koordinim edhe më të madh ndërmjet parlamenteve dhe deputetëve.
Ministri Hoxhaj e njohu Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë me progresin në Kosovë, fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar. Po ashtu, Hoxhaj ka veçuar angazhimin e fuqishëm të qeverisë së Kosovës për përmbushjen e axhendës integruese evropiane, duke theksuar edhe fokusimin e diplomacisë kosovare në axhendën multilaterale.
Gjatë takimit, Meta dhe Hoxhaj diskutuan edhe mbi zhvillimet në rajon dhe për ecurinë e perspektivës evropiane të Kosovës ku Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë u shpreh se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk duhet të vonohet dhe perspektiva e saj evropiane duhet të jetë gjithnjë e më e qartë.