A1 Report - Beqaj: Sherbimet ne 6 paketa te kardiologjise, falas edhe ne privat

2015-08-22 0

TIRANE - Ministria e Shëndetësië dhe Fondi i Sigurimeve kanë prezantuar 6 paketat e reja për kardiologjinë dhe kardiokirurgjinë invazive. Pacientët do të mund ta marrin këtë shërbim falas jo vetëm në spitalet publike, por për herë të parë edhe në spitalet private.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, u shpreh se këto paketa do të kalojnë për miratim në Këshillin e Ministrave.

"Unë dua të them se çfarë do të bëjmë ne që këto paketa jo vetëm të jenë të realizueshme por si të plotësojmë atë boshllëk që u prezantua. Spitalet publike dhe private u pa qartë që nuk shkojnë më shumë se 60%. Dhe ne e krahasuam me vendet e rajonit, vende të përafërta me ne. Së pari garantoj se nuk do të ketë më materiale mjekimi që do të lënë për të dëshiruar. Së dyti, deri në fund të vitit vëmë në punë reaminacionin e spitalit "Shefqet Gjoni". Është e sigurt se materialet e mjekimit për këtë vit janë 30 % më shumë. Në këtë fazë po programojmë fondet që një radiografinë ta zëvendësojmë dhe të vendosim një anglograf në Shkodër. Sepse është i rëndësishëm për shëndetin, një ndërhyrje më kohë pakëson pasoja të tjera, ne duam ta spostojmë punën mbi të cilin është ndërtuar shërbimi shëndetësor nga sëmundja drejt shëndetit. Potencialisht është e pamundur të realizohet i gjithi, por këtë sipërmarrjë do e ndërmarrim për ta realizuar në një pjesë të mirë të saj", tha ministri Beqaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të të Sigurimeve, Astrit Beci, gjatë prezantimit të 6 paketave të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë invazive tha se shërbimet shëndetësore do të financohen në bazë të vlerës reale për t`u përdorur me efikasitet për nevojat e pacientëve.

Shefi i kardiologjisë në QSUT, Artan Goda, u shpreh se është rritur nevoja e kardiologjisë në krahasim me 10 vite më parë, ndaj hartimi i këtyre paketave do të sjellë cilësi në shërbimin ndaj pacientëve dhe përdorim me efekasitet të fondeve.