A1 Report - PD: Ne krye te task forces se CEZ ne Tirane, nje i denuar nga gjykata

2015-08-22 6

TIRANE - Partia Demokratike ka vijuar edhe sot denoncimet në lidhje me emërimet në administratë. Zëdhënësja për shtyp, Laura Vorpsi denoncoi qeverinë se ka vendosur në krye të task forcës së CEZ në Tiranë, Idajet Buzin, një të dënuar për shpërdorim detyre.

"Me Edi Ramën, energjia elektrike do u kushtojë vërtet shumë shqiptarëve, por edhe mënyra se si po e administron CEZ-in. Në një prej posteve më të rëndësishme të kësaj ndërmarrjeje në Tiranë, është vendosur Idajet Buzi, një ish-i dënuar në vitin 2009 nga Gjykata e Durrësit, për shpërdorim detyre. Vendimi i Gjykatës së Durrësit, është lënë në fuqi, dhe ka marrë formë të prerë dy vite më vonë nga Gjykata e Apelit të Durrësit. Buzi i dënuar për shkak se, kur ishte përgjegjës turni në doganën e Durrësit, nuk i vilte subjekteve detyrimet tatimore, tanimë është emëruar nga Rama në krye të task forcës së CEZ-it në Kryeqytet." tha zëdhënësja e PD.

Vorpsi në fjalën e saj akuzoi Ramën se në postet drejtuese në administratë ka vendosur persona në bazë të kritereve klienteliste.

REAGON CEZ, BUZI: DEKLARATE E PAVERTETE, SULMI POLITIK

Ndërkaq ka reaguar Idajet Buzi, i akuzuari nga PD ditën e sotme si i dënuar nga gjykata e Durrësit, duke deklaruar se ndaj tij nuk ka ndonjë vendim të formës së prerë nga gjykata, por se çështja vazhdon të jetën në gjykim.

Buzi thekson më tej se akuzat janë tërësisht të karakterit politik pasi ai është larguar nga puna tetë vjetë më parë nga dhe nuk është rikthyer edhe pse ka fituar gjyqin për rikthimin e tij në punë.

"Në vitin 2005 jam liruar nga detyra ne Doganën e Durrësit për arsye politike dhe gjykata e ka cilësuar këtë vendim si të padrejtë, duke urdhëruar rikthimin tim ne detyrë. Edhe pse me një vendim të prerë te gjykatës, administrata e qeverisë Berisha ka refuzuar ta respektoje këtë vendim. Unë jam i padënuar dhe disponoj dëshmi të pastër penaliteti. Çështja të cilës i referohet zëdhënësja e Partisë Demokratike është një çështje administrative, e cila është ende në gjykim. Sulmet e sotme të Partisë Demokratike janë thjesht dhe vetëm trillime të nisura tetë vjet me parë më qëllim anashkalimin e vendimit të gjykatës, për rikthimin tim në detyrë. Unë do të respektoj çdo vendim të gjykatës, por i bëj thirrje opozitës të respektojë parimin themeltar të prezumimit të pafajesisë përderisa ndaj personit tim nuk ka asnjë vendim të formës së prerë, pasi çështja administrative është ne gjykim". shprehet Idajet Buzi.

Reagimit të akuzave të PD i është bashkuar edhe kompania CEZ Shpërndarje e cila përmes një njoftimi për mediat, shprehet se pas verifikimeve të kryera deklaratat e zëdhënëses Vorspi janë të pavërteta.

Në njoftimin e saj kompania CEZ i bën thirrje opozitës "te mos hedhe balte mbi punonjësit e kompanisë por të mbështesë aksionin e nisur për të ndalur vjedhjen e energjisë.

Free Traffic Exchange