PRISHTINË - "Qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e shpejtë të vizave". Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, nga Prishtina gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin kosovar Hashim Thaçi.
Kryeparlamentari tha se prespektiva e marrëdhënieve të dy vendeve është ajo europiane.Kryeparlamentari Meta vlerësoi kryeministrin Thaçi për dialogun e vështirë me Serbinë. Meta shprehu mbështetjen e Shqipërisë për dialogun mes dy vendeve, për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe shpërbërjes së strukturave paralele. Kryeministri Thaçi nga ana e tij foli për mundësinë e themelimit të tribunalit, të supozuar për krimet e luftës, ku nuk ka specifikuar nëse do të themelohet ose jo.
Në takimin që zhvilloi me homologun kosovar, Jakup Krasniqi, Meta tha se përpjekjet për të njollosur luftën e UÇK janë të padrejta. Ndërkohë Krasniqi tha se me Metën bashkëbiseduan për bashkëpunimin e mirë mes dy kuvendeve, por shtoi se ka ende vend për bashkëpunim.
Gjatë vizitës në Kosovë, Meta do të zhvillojë homazhe pranë varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova dhe te Varrezat e Jasharëve në Prekaz.