Osmani: Anëtarësimi në NATO, çatia më e sigurtë

2015-08-22 0

Maqedonisë i duhet politikë shtet-formuese për anëtarësim në NATO dhe BE dhe jo arsye pse nuk mund të arrihet ky qëllim strategjik. Kështu u shpreh sot zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, në një konferencë shtypi, me rastin e 65 vjetorit të NATO-s. Osmani tha se partia e tij kërkon që nga fjalët të kalohet në vepra.

'Ukraina është shembulli më i mirë se sa e rrezikshme është që një shtet multi-etnik të jetë jashtë ombrellës së NATO-s dhe mbështetjes së UE-së. BDI mendon se, Republika e Maqedonisë ka vendosë themelet e shtetit multi-etnik por i mungon çatia kësaj godine të përbashkët, që të ketë ardhmëri të sigurt dhe perspektiv të qëndrueshme. Shikuar nga kjo distancë kohore, duket profetike kërkesa e BDI-së dhe liderit të saj Ali Ahmeti dhënë para disa muajsh; Maqedonisë i duhet NATO sot dhe në këtë moment. Nuk ka çati më të sigurt se anëtarësimi në NATO dhe UE", tha Bujar Osmani -- zëdhënës i BDI-së.

Osmani përsëriti se kërkesa e BDI-së për zgjedhje të parakohshme ishte që të kërkoj ide dhe alternativa për qytetarët me qëllim hapjen e proceseve integruese e posaçërisht anëtarësimin në NATO.

'BDI është e vetëdijshme se kjo ide madhore nuk është përgjegjësi vetëm e një komuniteti, dhe nuk mund ta shtyjë vetëm nga një komunitet cilido qoftë ai, ndaj edhe shpalosi idenë e kryetarit konsensual me qëllim parësor, unifikimin e dy komuniteteve më të mëdha në gjetje e rrugës së përbashkëta për këto procese', deklaroi Bujar Osmani -- zëdhënës i BDI-së.

Sipas Osmanit, BDI-ja do të mbetet e përkushtuar deri në fund sa i përket integrimeve euro atlantike. BDI-ja i bën thirrje edhe partive të tjera politike, intelektualëve, shoqatave dhe institucioneve shkencore arsimore që të analizojnë këtë ide dhe t'i bashkëngjiten qëllimit për përshpejtimin e rrugës drejt integrimeve euroatlantike. Valmir Kuçi