FUSHE KRUJE -- Ekzekutohet pak javë pasi u lirua nga paraburgimi Gjin Nika, aksioner në galeritë e kromit të zonës D në Bulqizë, dhe i dyshuar për dy vrasje e plagosje. Ngjarja ndodhi në Urën e Tapizës rreth mesnate,dhe bashkë me Nikën u vra edhe 28-vjeçari Fabio Xhunga nga Kamza që ndodhej në të njëjtin motor me të. Disa orë pas ngjarjes policia e Tiranës ka shoqëruar 37-vjeçarin Gentian K., si të dyshuar për ngjarjen. 37-vjeçari është plagosur në afërsi të Zogut të Zi një vit më parë dhe hakmarrja për këtë ngjarje, për të cilën ishte i dyshuar Gjin Nika, dyshohet të jetë motive i ekzekutimit të Nikës.
Ngjarja ishte pa autor deri para arrestimit të Nikës në 20 janar nga Komisariati Numër 4. Pasi kishte mësuar për arrestin, Gentian K., denoncoi se ishte pikërisht Gjin Nika që e kishte plagosur, por edhe kjo akuzë për të nuk e ka bindur prokurorinë. Ndaj tij Gjykata e Shkallës së parë të rrethit gjyqësor Tiranë kishte vendosur masën e sigurisë "Arrest me burg", por më pas Gjykata e Apelit e ka ndryshuar këtë masë, duke e lënë të lirë Gjin Nikën.
Në fakt, në një prononcim pas ngjarjes së mesnatës, nëndrejtori i Policisë së Durrësit, Jaeld Çela, tha se janë shoqëruar në total 21 persona dhe se ngjarja ka lidhje me të shkuarën e Nikës.
Gjin Nika dyshohej edhe si autori i ekzekutimit të biznesmenit të kromit, Hasan Talja mbrëmjen e 17 janarit të këtij viti, në rrugën "Bajram Allaraj", pak metra mbi tregun elektrik në kryeqytet. Emri i Gjin Nikës ka qenë edhe në listën e të dyshuarve për vrasjen e Shefqet Shehut në vitin 2013 në Bulqizë, ndërsa për të ka patur vetëm një dënim me 1 vit burg për plagosjen e Shkëlqim Shehut, vëllai i Shefqetit dhe falsifikim dokumentesh. Vrasje të cilat dyshohet se janë kryer për shkak të konflikteve në lidhje me menaxhimin e minierave të kromit në Bulqizë
Burimet thanë se Nika dyshohet të ketë qenë objekti i atentatit, dhe se ngjarja ka për motiv hakmarrjen .Të njëjtat burime e lidhin ngjarjen me një hakmarrje të mundshme për plagosjen e Shkëlqim Shehut dhe vrasjen më pas të vëllait të këtij Shefqet Shehu, ngjarje në cilën u plagos vëllai i tretë Vehadi.
Drejtoria e Përgjithshme të Policisë, duket se i kanë zgjeruar hetimet për Nikën pas vrasjes. Sipas burimeve pranë drejtorisë, Nika dyshohet edhe për kryerjen e vrasjeve me pagesë në të paktën 8 raste, në Tiranë, Mat dhe në rrethe të tjera. Të njëjtat burime shtuan se Nika ka qenë në vëzhgim edhe për lidhje të mundshme me grupet që kryenin rekrutimin e besimtarëve muslimanë nga Shqipëria për të luftuar në Siri.