VLORË- Zbardhen detaje të reja për kufomën e gjetur dje në lumin Vjosë, pranë urës së Poçemit. Sipas policisë së Vlorës kufoma është Roland Maçi, 44 vjeç nga Vlora me banim në zonën e Ujit të Ftohtë, i cili duket edhe në këtë foto. Trupi i tij u gjet i mbytur në lum dhe i mbështjellë me rrjetë teli.
Sipas policisë, dyshohet se 44-vjeçari fillimisht është masakruar, duke e goditur me mjete të forta në kokë dhe më pas është hedhur në lum për të fshehur gjurmët e krimit. Trupi i pajetë i tij u gjet i mbështjellë me një rrjetë teli siç duket edhe në këto pamje, buze lumit Vjosë, si dhe i ishte vendosur një peshë e rëndë për të mos pluskuar.
Burime pranë morgut të Vlorës bëjnë të ditur se kufomës i janë gjetur shenja dhune dhe trupi ishte i masakruar para se të hidhej në lumë.
Pista e parë ku po heton policia e Vlorës është ajo e një konfliktit për çështje borxhesh. 44-vjeçari ishte shpallur u zhdukur që prej datës 26 mars të këtij viti nga familjarët, ndërsa automjeti i tij ishte djegur të dielën e javës së kaluar në lagjen 4 heronjtë qytetin e Vlorës.
Mësohet se ai njihej si person i papunë dhe nuk dispononte ndonjë aktivitet privat. Deri tani policia nuk ka shoqëruar asnjë person që mund të ketë lidhje me ngjarjen, ndërsa kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.