FUSHE KRUJE -- Ekzekutohet me armë zjarri një nga aksionerët në galeritë e kromit në Bulqizë. Gjin Nika është vrarë afër mesnatës, tek Ura e Tapizës, në rrugën nacionale Fushë Krujë- Tiranë. Në atentatin ndaj biznesmenit ka mbetur i vdekur edhe 28-vjeçari, Fabio Xhunga nga Kamza, i cili udhëtonte me motor sëbashku me Nikën. Dy personave i është zënë pritë duke qëlluar me armë zjarrit tip automatik në drejtim të tyre dhe duke i lënë të vdekur në vend.
Ende nuk dihet autori apo autorët e ngjarjes. Forcat e Policisë së Krujës dhe ato të Tiranë kanë shoqëruar disa persona, ndërsa ekzekutimi dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje.
Nika është liruar pak javë më parë nga paraburgimi, pasi ishte arrestuar në Tiranë gjatë muajit janar, si i dyshuari kryesor për dy vrasje, një të ndodhur në Tiranë dhe një në Bulqizë.
Gjin Nika dyshohej si autori i ekzekutimit të biznesmenit të kromit, Hasan Talja mbrëmjen e 17 janarit të këtij viti, në rrugën "Bajram Allaraj", pak metra mbi tregun elektrik në kryeqytet.
Nika u vu në pranga nga uniformat blu vetëm pak ditë më pas si i dyshuari kryesor për këtë krim, i cili në atë kohë u fol se bëhej fjalë për konflikte në lidhje me menaxhimin e minierave të kromit në Bulqizë.
Gjin Nika ishte i dyshuar edhe për një ngjarje tjetër, ku janë përfshirë disa persona, të implikuar sërish me biznesin e kromit.