A1 Report - Berat, ujerat e Osumit "pushtohen" nga mbetjet, ARM hesht

2015-08-22 4

BERAT- Disa ditë më parë një ndotje tepër e lartë e ujërave të lumit Osum u denoncua nga peshkatarët dhe banorët në qytetin e Beratit. Bashkë me rrjedhën e lumit një shkumë e bardhë me erë të keqe u shfaq hapur për disa mëngjese në lumin që përshkon qytetin.

Banorët denoncuan hapur se ndotja shkaktohej nga aktiviteti privat i një fabrike lëkurash që ndodhet mes aksit rrugor Berat-Skrapar në dalje të qytetit. Agjencia Rajonale e Mjedisit pas publikimit të lajmit në media dhe pse ka pjesë të punës së saj monitorimin e situatës, deklaroi nëpërmjet drejtorit të saj se do të kryheshin inspektimet në terren nga specialistët mjedisorë, madje do të merreshin dhe masa për shmangien e mëtejshme të ndotjes.

Por, ndonëse kanë kaluar disa ditë nga raportimi i gjendjes, jo vetëm që asnjë masë nuk është marrë, por situata do të përkeqësohet.

Situata e krijuar në afërsi të fshatit Vodice, në aksin rrugor Berat-Skrapar, në përroin që derdhet në lumin Osum tregojnë se ndotja kalon çdo parashikim. Në përroin që kalon mes fshatit dyshohet se derdhen dhe mbetjet e fabrikës së përpunimit të lëkurave, e cila ndodhet në këtë zonë.

Tashmë me uljen e nivelit të lumit si pasojë e pakësimit të prurjeve, ndotja bëhet dhe më e rrezikshme, pasi është më e lartë. Mbi nivelin e ujit ndodhet prezenca e preparateve ndotës që përshkojnë gjithë sipërfaqen dhe vazhdojnë rrjedhën deri në lumin Osum duke e përcjell atë deri në Berat.