A1 Report - "FMN" në Kuvend, PD: Taksa të reja. Cani: Nuk ka ulje pagash

2015-08-22 0

TIRANË - Marrëveshja e huasë mes qeverisë shqiptare dhe FMN-së, për marrjen e 331 milionë eurove, ka rikthyer opozitën në Kuvend. Debati ka degjeneruar në përballje mes deputetëve për rregulloren e Kuvendit. Të mënjehershme kanë qenë edhe debatet mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka deklaruar se nuk do të ketë ulje pagash dhe pensionesh dhe as rritje taksash.

I pari që mori fjalën ishte deputeti socialist, Anastas Angjeli i cili sqaroi se huaja e marrë nga FMN është shoqëruar me dokumentacionin përkatës "për të rritur transparencën për grupet e interesit dhe për publikun." "Vendimi për huamarrja erdhi si pasojë e bisedimeve mes qeverisë shqiptare dhe përfaqësuesve të FMN-së", tha Angjeli.

Ndërkaq deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu ka akuzuar qeverinë se, e ka mbajtur të fshehur marrëveshjen me FMN-në. Sipas tij, qeveria ka vënë taskë edhe për lëvizjen në kufi, ndërsa është marrë angazhimi për rritjen e çmimit të energjisë.

Gjatë fjalimeve, spikati fjala e deputetes demokrate Jozefina Topalli, e cila,pasi e konsideroi si papërgjegjshmëri të Kryeministrit mosmbajtjen e premtimeve dhe marrjen e huave marramendësve në vetëm 7 muaj, pa përmendur emër, përmendi dhe komentoi festën e ditëlindjes të Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Topalli e cilësoi atë si një festë sheikësh me përmasa faraonike, një akt arrogance oligarkësh përballë varfërisë.

Në përfundim, kreu i Kuvendit nuk bëri asnjë replikë për cilësimet që iu bënë festës së organizuar prej tij, por i tha shkurt: "Të lumtë goja!" dhe ftoi në foltore, deputetin Genc Ruli.

Përkundër akuzave të lëshuara nga PD-ja për rritje taksash e çmimesh, foli Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili dha disa shembuj por në veçanti, foli për shëndetësinë duke ngritur në foltore dy kuti barnash: Ja, tha ai, ato që premtuan. Kanë tre ditë që shiten pa TVSH dhe vetëm ky ilaç tensioni, tani kushton 4 herë më lirë sepse negociuam me prodhuesit e mëdhenj.