"Europa Re" lëshoi në përdorim pakon e parë për sigurim nga fatkeqësitë natyrore, konkretisht nga tërmeti. 'Swiss Visual Pro' është emri i shërbimit i cili prej sot mund të blihet edhe në Maqedoni përmes kompanive vendore për sigurim që janë bërë anëtare të "Europa Re". Nga kjo kompani paralajmëruan edhe pako të tjera që do të ju ndihmojnë bujqve në sigurimin e tokave të tyre nga shirat dhe thatësira si dhe sigurim për biznesmenët që duan ti sigurojnë patundshmëritë e tyre nga vërshimet. "Europa Re" ka selinë në Zvicër dhe është kompani e formuar me anë të partneritetit publiko-privat mes shteteve të rajonit. Themeluese dhe aksionare kryesore janë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia të cilat në fondin "Europa Re" marrin pjesë me nga 5 milion dollarë.
"Europa Re" është këtu në Maqedoni që ti ndihmojë qytetarët, sektorit të biznesit, bujqve dhe tokave në mënyrë shumë efikase edhe atë me çmime të kapshme për të gjithë në mënyrë që të mund të sigurojnë stabilitet financiar afatgjatë dhe garanci për pronën, biznesin, dhe ardhmërinë e tyre nga katastrofat natyrore që mund të ndodhin çdokund dhe çdokujt" , tha Hajnc Folenvajder, drejtor i "Evropa Re".
"Kemi investuar në kompani që do të krijojë një sistem për kompanitë vendore të sigurimit për mbrojtje nga katastrofat natyrore dhe ndryshimet klimatike që gjithnjë e me shumë po shtohen. Të mirat e "Europa Re" do ti ndjejnë së shpejti qytetarët, pronarët e shtëpive dhe banesave, bujqit, ndërmarrjet e vogla dhe të mëdha të cilët për çmime të kapshme do të mund të sigurojnë kompensim për humbjet eventuale të shkaktuara nga katastrofat natyrore" , u shpreh Zoran Stavrevski, minister i financave. Alsat-M