A1 Report - Plumba ndaj shefit të Antidrogës Fshati "pushtohet" nga RENEA

2015-08-22 18

SARANDË - Sulmi me breshëri automatiku i automjetit të shefit të Antidrogës të Policisë së Sarandës gjatë një veprimi policor, ka sjellë reagimin e menjëhershëm RENEA-s, ku vetëm brenda pak orëve rreth 200 forca Speciale dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, mësynë në fshatin Shëndelli duke ushtruar kontrolle thuajse shtëpi më shtëpi.

Ngjarja ka ndodhur pas mesnate, ndërsa në orët e mëngjesit janë shoqëruar 30 persona, janë sekuestruar armë të shumta, si dhe është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i sulmit me armë ndaj policisë, Taulant Gjini.

Në fakt shefi i antitrafiqeve dhe drogës, Ogert Mezinit, nuk është goditur nga breshëria e automatikut që u zbraz në drejtim të automjetit të tij. Makina është qëlluar në pjesën anësore, ndërsa mësohet se automjeti ka qënë në lëvizje. Efektivët e policisë i janë përgjigjur me zjarr agresionit, por autorët kanë mundur të largohet, ndërsa nuk pati të lënduar nga të shtënat.

Sipas burimeve pas ngjarjes janë ushtruar kontrolle në të paktën 90 banesa në fshatin Shëndëlli. Policia ka sekuestruar 1 armë zjarri mitraloz si dhe një armë automatik që mendohet se është i autorit të sulmit Gjini. Operacioni për ndalimin e Taulant Gjinit vijon në fshatrat përreth Shëndëlli, teksa në të janë përfshirë efektivë.