A1 Report - Arrestohet ish-deputeti, dyshohet për lidhje me bandën 'Camorra'

2015-08-22 0

ROMË- Arrestohet në Itali ish-deputeti i Partisë Populli i Lirisë, Nicola Cosentino, i dyshuar për lidhje me organizatën mafioze "Camorra".

Cosentino u arrestua këtë sot nga policia e Caserta-s lidhur me hetimin mbi shitjen e karburanteve në provincë. Ish-deputeti akuzohet për zhvatje dhe konkurrencë të pandershme në fushën e karburanteve. Në total janë 13 të arrestuar nën këtë akuzë, dy prej të cilëve janë vëllezërit e ish-deputetit Nicola Cosentino, Giovanni dhe Antonio.

Në bazë të hetimit të nisur në vitin 2011 pas denoncimit të pronarit të një pike karburanti, Nicola Cosentino së bashku me vëllezërit dhe nëpërmjet aktivitetit të shoqërive "Aversana Petroli", "Aversana Gas" dhe "IP Service" ka përfituar në mënyrë të jashtëligjshme leje dhe licenca për ndërtimin e impianteve të reja.

Gjithmonë nëpërmjet të njëjtit rrjet, Cosentino ka ndaluar apo ngadalësuar procesin e ndërtimit të impianteve të tjera nga shoqëritë konkurruese, nëpërmjet dokumenteve administrative të jashtëligjshme.